“Ftesa për të shkuar prokurorët në zyrën e kryeministrit është presion i pastër politik”. Kështu u shpreh avokati Skënder Musa lidhur ftesen e kryeministrit të Kosovës për Prokurorinë Speciale që të shkojnë dhe ta intervistojnë atë në zyrën e tij.
Musa u shpreh se Kurti po synon të nënshtrojë Prokurorinë Speciale, derisa shtoi se kjo mund t’i shtyjë edhe qytetarët e tjerë që në raste të tjera të kërkojnë të intervistohen pa u paraqitur në Prokurorinë Speciale.
“Nëpërmjet kësaj po synohet një lloj nënshtrimi i Prokurorisë, pasi nuk e përcakton në këtë rast kryeministri vendin se ku duhet të intervistohet. Në cilësinë e dëshmitarit, secili qytetarët është i obliguar të dëshmojë. Edhe kryeministri përfshihet këtu. Kur është jashtë vendit ka mirëkuptim për shtyrje të intervistimit, por nëse vazhdon me këtë lloj refuzimi do të jetë precedent i rrezikshëm pasi qytetarët mund të marrin shembullin e tij dhe nuk do të paraqiten për intervistim”, ka deklaruar ai.
Avokati tha se kryeministri Kurti po përpiqet të tregojë forcë në raport me Prokurorinë.
“Ftesa për të shkuar prokurorët në zyrën e kryeministrit është presion i pastër politik. Po përpiqet të tregojë forcë në raport me Prokurorinë, por s’është çështja e të treguarit forcë pasi të gjithë jemi të obliguar të përgjigjemi”, ka thënë Musa, derisa shtoi se meqë ka dyshime për keqpërdorim të rezervave shtetërore, mund të jenë përfshirë vartësit e tij.
Musa gjithashtu theksoi se njoftimi i Kurtit ditën kur duhej të intervistohej është mosrespektim dhe nënçmim ndaj Prokurorisë.
“Ftesa e Kurtit nga Prokuroria Speciale ka qenë në rregull, ftesa përgatitet më heret. Nuk besoj që ka qenë ndonjë lloj presioni për shkak se prokurorët janë të obliguar me detyra dhe bëjnë plane se kur t’i ftojnë dëshmitarët e caktuar. Besoj se vet zyra e prokurorit që është e angazhuar në atë lëndë ka mendu dhe ka sistemu shumë më herët në datë që ta ftojë për intervistim sepse pavarësisht se çka shkruajnë dispozitat ligjore të gjitha palët në procedurë kanë parasysh funksionin në publik, çoftë kryeministrit apo ministrave, për shkak të agjendave të ngarkuara shtyerja ka qenë e arsyeshme mirëpo njoftimi pikërisht në ditën kur mbahet është një nënçmim për Prokurorinë dhe mosrespektim i saj pasi ka pasur afat që të dërgoj njoftim më herët”, nënvizoi avokati Musa.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti është ftuar nga Prokuroria Speciale që të intervistohet si dëshmitar.