Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Genc Prelvukaj, do jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Këtë e konfirmoi vet ai ekskluzivisht për klankosova.tv gjatë një interviste ku shtjelloi vizionin dhe planet e tij për një Kosovë më të zhvilluar.
Megjithatë, Prelvukaj nuk hezitoi të adresojë kritika ndaj qeverisjes aktuale, duke e akuzuar për varfërimin e politikës së jashtme të Kosovës dhe përkeqësimin e standardit jetësor të qytetarëve.
Pretendenti i PDK-së për karrigen e deputetit, paralajmëroi angazhime konkrete për ndryshime të prekshme në qeverisjen e ardhshme, duke përfshirë rikthimin e fokusit tek interesat e qytetarëve dhe fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Çfarë ju shtyu të angazhoheni në politikë, veçanërisht në PDK?
Genc Prelvukaj: Interesimi rreth politikës nuk është dukuri e vonshme, për më tepër ka shans ta kemi pasë të imponuar shkaku i kohës së vështirë, luftës dhe sfidave tjera, në të cilat jemi formuar si brez. Disi, rrethanat e sipërthëna, mësa duket, kanë ndikuar që interesi mbi politikën tek unë të avancojë deri në atë masë sa të më kthehet si fushë studimi në dy nivelet e para universitare. Më pas, për ta njohur edhe në rrafshin praktik, rreth dy decenie më parë, jam bërë pjesë e një shoqërie politike, Partisë Demokratike të Kosovës, me të cilën nuk i kam ndarë rrugët kurrë.
Si i komentoni deklaratat e qeveritarëve se në Kosovë kemi rritje ekonomike, por edhe zvogëlim të papunësisë?
Genc Prelvukaj: Partia që tanimë është në pushtet, për vite të tëra e ka portretizuar vetën si struktura më adekuate për forcimin e shtetit dhe zhvillimin e vendit. Mirëpo, me ngritjen drejt pushtetit ky formacion politik ka prodhuar një rrethanë tërësisht të kundërt, fillimisht duke anashkaluar pjesën madhore të premtimeve, e më pas duke ngecur edhe në trajtimin adekuat të problemeve nga fusha e arsimit deri tek mirëqenia. Personalisht jam i mendimit që kjo situatë është refleksion i mungesës së kuadrit, përvojës institucionale, guximit politik dhe në fund duket të jetë edhe pasojë e leximit të gabuar të shumë zhvillimeve gjatë qëndrimit në opozitë. Në këtë kontekst, për ta kamufluar mungesën e rezultateve pozitive, partia në pushtet është munduar ta imponojë në opinion publik rrëfimin e tyre bazuar në shifra të pasakta e të manipuluara në raport me rritjen ekonomike dhe papunësinë.
A e konfirmoni ekskluzivisht për klankosova.tv, se ju do jeni pjesë e listës së PDK-së si kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës?
Genc Prelvukaj: Po, unë jam njëri prej kandidatëve nga lista e PDK-së.
Nëse zgjidheni deputet, cili do të ishte projekti juaj i parë në Kuvend dhe prioritet?
Genc Prelvukaj: Mendoj që në këtë fazë, është irracionale të flitet për veprime konkrete, mirëpo, nëse bëhet fjalë për fushat ku mund të përfshihem, atëherë mund të thuhen dy fjalë më tepër. Realisht janë disa sfera, sikurse kultura, pronësia intelektuale, mjedisi, industria kreative, rinia, bujqësia dhe politika e jashtme, me të cilat kam korrespoduar në retrospektive dhe mund t’i trajtoj si tema sërish.
Cilat janë sfidat kryesore që shihni për Kosovën sot dhe si planifikoni t’i adresoni?
Genc Prelvukaj: Në katër vitet e shkuara, duket se partia në pushtet i ka rënduar problemet e qytetarëve në vend se t’i trajtojë seriozisht dhe të ofrojë zgjidhje adekuate. Në raport me mirëqenien ka regres, njerëzit tani janë më të varfër, jeta është më e shtrenjtë, me një fjalë shporta e familjes është më e thatë krahasuar me pesë vite më parë. Pastaj, për sa i takon politikës së jashtme republika është në kohën më të errët të saj, duke u përplasur në mënyrë të pakuptimtë me disa shoqëri politike shqiptare me peshë në rajon, si dhe me faktorin ndërkombëtar, ku për pasojë shteti merr disa masa sanksionuese. Kundrejt investimeve kapitale shteti është në pauzë dhe kjo ndikon negativisht në zhvillimin e vendit, derisa raportohet për afera korruptive dhe nepotizëm pothuajse në secilin segment qeveritar, e kështu me radhë. Si konkluzion, sfida ka shumë por Partia Demokratike e Kosovës ka kuadro që mund t’i adresojnë siç duhet.
Cili është vizioni juaj për rolin e Kosovës në rajon dhe në arenën ndërkombëtare?
Genc Prelvukaj: Shteti i Kosovës duhet ta ndërtojë komunikimin politik me forcat rajonale mbi themele të respektit reciprok dhe interesit të saj, duke i kontribuar harmonisë dhe paqes. Ndërsa kundrejt bashkësisë ndërkombëtare vizioni më i mirë është ai që stimulon bashkëpunimin dhe forcimin e aleancës me shtetet e zhvilluara, një kurs ky nga i cili nuk duhet devijuar asnjëherë.
Ju ishit edhe në Hagë në vizitë tek ish-krerët e UÇK-së. Cilat ishin porositë e tyre?
Genc Prelvukaj: Vizita ka zgjatur disa orë dhe kemi diskutuar për familjen, kulturën, rrethin, studimet dhe tema tjera të përafërta. Porosi prej tyre nuk kam marrë në asnjë rast.
Në këndvështrimin e një historiani, a mendoni që duhet të negociohet territori në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Genc Prelvukaj: Historia flet për zhvillime që kanë ndodhur në retrospektivë, ndaj nuk mund të flas nga prizmi i nshkencës për diçka që nuk ka ngjarë. Kurse vështruar nga petku politik mendoj që është temë e konsumuar dhe duket se nuk është më në tavolinë si opsion, ndaj çdo diskutim mbi këtë çështje nuk prodhon diçka të vlefshme.
Si e shihni rolin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në raport me sovranitetin e Kosovës?
Genc Prelvukaj: Asnjë projekt politik që cenon sovranitetin e shtetit nuk duhet të merret në konsideratë, pa dallim nga kush vjen si propozim. Në këtë kontekst, minoriteti serb ka të drejtë të organizohet për të lehtësuar komunikimin mes tyre, por vetëm në përputhje me kushtetutën e vendit.
Si do ta komentonit nga këndvështrimi i një qytetari, Qeverisjen Kurti, në këto vite?
Genc Prelvukaj: Nëse lexohen zhvillimet politike racionalisht, partisë në pushtet vështirë se mund t’i ipen kredite pozitive, në raport me investimet kapitale, reformat arsimore, sistemin e drejtësisë, angazhimin diplomatik, luftën ndaj korrupsionit, marrëdhënien me mediat, trajtimin e mjedisit dhe betejën ndaj varfërisë. Për më rëndë, deri në këtë kohë kanë shpërthyer në sipërfaqe jo pak afera, të cilat e kanë irrituar shoqërinë, përfshirë edhe shkeljet e kushtetutës në vazhdimësi. Nga ana tjetër, diskursi që ka ndjekur struktura qeveritare, ku për dështimin ndaj detyrave shtetërore ka provuar t’i fajësojë dhe demonizojë formacionet politike opozitare, mediat dhe shoqërinë e analistëve, është i papranueshëm. Për ta kompletuar përshkrimin, simpatizuesit e qeverisë duhet ta kuptojnë që kryeministri aktual nuk mund ta ketë monopolin e të drejtës, diturisë dhe të vërtetës, kurse të gjithë tjerët, përfshirë partitë opozitare, mediat, shtresën intelektuale, shoqatat e luftës, sindikatat, akademitë, aleatët rajonalë dhe ndërkombëtarë, të jenë në anën e kundërt. Sidomos kur të merret parasysh fakti që shumë interpretime të kreut të qeverisë në të shkuarën kanë qenë gabim, për të mos thënë që shumë prej tyre kalojnë në rrafshin banal, që do të thotë se ka mangësi të theksuara në leximin e drejtë të rrethanave politike.
A mendoni se nuk janë parë rezultate konkrete nga qeverisja aktuale, nga fondet e ndara për projekte zhvillimore – shembull kanali Iber Lepenc u sulmua lehtësisht me eksploziv?
Genc Prelvukaj: Mendoj që në opinionin publik nuk kontestohet fakti që kundrejt projekteve zhvillimore, për këto katër vite, shteti ka pasur stagnim të frikshëm. Praktikisht, vështirë se mund të listohet ndonjë investim madhor brenda këtij mandati, ndryshe nga koha kur ka qeverisur Partia Demokratike e Kosovës, me ç’rast patën përfunduar shumë projekte vitale për shoqërinë dhe shtetin, sikurse autostrada, stadiume, objekte doganore, konvikte, ura, ndërtesa shkollore, çerdhe, godina institucionale, aeroport dhe qendra rinore, ndonëse buxheti ka qenë trefish më i vogël krahasuar me sot. Ndërsa sa i takon sulmit në kanalin ujor mendoj që është një çështje, për të cilën duhet të diskutohet veçmas, pra duke e ndarë nga debati mbi investimet kapitale.
A mendoni që në këto zona statike do të duhej trajtim më specifik në aspektin e sigurisë?
Genc Prelvukaj: Veprimet shtetërore që përmirësojnë sigurinë brenda vendit janë çdoherë të nevojshme, sepse fillimisht për këtë detyrë mandatohet një strukturë qeveritare. Mirëpo, nëse këto bëhen vetëm për stimulim elektoral, apo për të kamufluar regresin në fushat tjera, atëherë konsiderohen si aksione të padobishme dhe të dënueshme.
Kandidatura e Genc Prelvukajt, shënon një angazhim të ri për PDK-në, me synimin për të ofruar alternativa të reja politike dhe për të adresuar sfidat kryesore të vendit.
Zgjedhjet e 9 shkurtit priten të jenë një moment i rëndësishëm për të ardhmen politike të Kosovës, dhe Genc Prelvukaj premton të jetë një zë i fuqishëm në përfaqësimin e interesave të qytetarëve në Kuvend.