Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, e ka quajtur të gabuar dhe shkelje të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit veprimin kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili mbrëmë ndërpreu seancën për t’i pamundësuar deputetëve të Listës Serbe që të futën në sallë.
Po ashtu edhe deputetët e VV-së bllokuan ulëset e deputetëve të Listës Serbe.
“Është veprim aventuresk i një grupi aventurierësh politik të cilët i kanë zënë vendet e tyre në Kuvendin e Kosovës. Së pari ata nuk kanë të drejtë që t’ia zënë vendin asnjë deputeti, duke përfshirë edhe grupin parlamentar që përfaqësojnë komunitetin serb në Kosovë pa marrë parasysh a pajtohemi ne me ndonjërin prej tyre apo nuk pajtohemi me asnjërin prej tyre. Ata në qoftë se nuk e kanë shkel kushtetutën dhe ligjin e Kosovës të cilët ua ndalojnë hyrjen në Kuvend nuk ka të drejtë askush që t’i nxjerrë nga salla, as kryetari nuk ka të drejtë askënd ta nxjerrë nga salla. Kryetari do të duhej që t’i përshëndet që kanë marrë pjesë ne mbledhje. Normalisht që ata do të dilnin prapë sepse ata po e luajnë lojën e vet. Ata po e bëjnë punën e vet të cilën ua kanë ngarkua dikush që në këtë rast po themi nga Vuçiqi apo Radojiçiqi”, tha Haliti.
Deputeti Haliti tha se veprimi i kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve të VV-së është për të fituar vota.
“Veprimi është në dëm të kryetarit sepse në këtë rast ai e ka shkelur rregulloren e Kuvendit dhe i ka shkelur ligjet e Kosovës. Rregullorja e Kuvendit e parasheh se mandatin deputeti e humbë nëse 6 muaj nuk merr pjesë në asnjë mbledhje në Kuvend ose në komisione. Ata po e shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre qe ja jep rregullorja e Kuvendit. Ata po e bëjnë një lloj presioni për të bërë këtë veprim që e bëri kryetari i Kuvendit dhe unë mendoj se bëri gabim sepse ata këtë e kanë pritë. Me veprimin e kryetarit të Kuvendit, ndoshta i ka fituar do vota më shumë sesa që i ka planifikuar me atë veprim, por në planin ndërkombëtar, në planin e së drejtës ndërkombëtare dhe së drejtës së deputetit në Kuvend ai ka bërë shkelje të rregullores dhe të Kushtetutës”, tha ai për rtv21.
Deputeti Haliti tha se pjesëmarrja e deputetëve të Listës Serbe në Kuvend mund të bëhet vetëm përmes Kryesisë së Kuvendit duke zbatuar Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit.
“Aftësia dhe zotësia e kryetarit të Kuvendit është ruajtja e qetësisë dhe neutralitetit në raport me të gjithë. Ai nuk ka të drejtë ta dënoj askënd. Të drejtët për ta marrë një vendim për dikën që e shkel rregullat e Kuvendit i ka Kryesia dhe Kryesia nuk ka mbajtur asnjë mbledhje që t’ua ndaloj atyre hyrjen në Kuvend. Unë mendoj se ka qenë ligështi edhe e atyre që janë sjellë keq me grupin parlamentar dhe dëmi shkon në llogari të VV-së, të kryetarit të Kuvendit dhe në llogari të Kuvendit të Kosovës”, tha Haliti.