Avokati Skënder Musa ka folur lidhur me ndodhitë e fundit në Gjykatën Speciale ku përfshihen ish-krerët e UÇK-së.
Në një intervistë në T7, avokati tha se pyetjet e trupit gjykues kanë qenë me qëllim që ta vërtetoj aktakuzën dhe jo për ta zbardhur të vërteten.
“Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve, trupi gjykues shpesh ka bërë pyetje me qëllim që ta vërtetoj aktakuzën, por nuk ka parashtruar asnjë lloj pyetje me qëllim të shfajësimit. Në bazë të Kushtetutës së Republikës të Kosovës, Konventes evropiane për mbrojtje të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe akteve të tjera ndërkombëtare dhe ligjeve vendore, trupi gjykues është i obliguar që të jetë neutral, të parashtroj pyetje shfajësuese me qëllim që të zbardhë të vërteten ndërkaq trupi gjykues nuk është i obliguar që të bëjë pyetje me fut dëshmitarët në lajthitje”, tha Musa.
Avokati foli edhe për letrën e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së drejtuar adresës së gjyqtarëve të Gjykatës Speciale në Hagë, derisa theksoi se trupi gjykues nuk ka qenë objektiv gjatë shqyrtimit të procesit gjyqësor.
“Këto shkelje që i kanë potencu avokatët e të akuzuarit janë plotësisht evidente dhe e dëmtojnë rëndë një proces të drejtë gjyqësor. Trupi gjykues duhet të marrë masa që t’i evitoj këto shkeljet ligjore që i ka bërë trupi gjykues dhe me këto vrejte trupi gjykues do të vendos se a janë të denjë për ta shqyrtuar çështjen për shkak se të gjitha elementet që janë potencuar në letër kërkohet edhe përjashtimi i trupit gjykues për shkak të humbjes së objektivitetit gjatë shqyrtimeve gjyqësore”, shtoi ai.
Më tej, Musa tha se është një mision që me çdo kusht ta vërtetojnë fajësinë e ish-krerëve të UÇK-së.
“Është tendencë e gjyqtarëve për shkak se vet prokurorët special nuk po arrijnë me i sfidu gjyqtarët për provat që i kanë pasur deri më tani dhe siç duket ata kanë një mision që me çdokusht ta vërtetojnë fajësinë ndaj ish-krerëve të UÇK-së apo ndonjërit prej tyre që janë duke u akuzuar atje”, tha Musa.