Franco Foda ka publikuar listën e Kosovës për ndeshjen miqësore që zhvillohet më 5 qershor në Oslo kundër Norvegjisë.
Përzgjedhësi i Kosovës për këtë listë ka grumbulluar 23 futbollistë, ku dy prej tyre për herë të parë do të jenë në Përfaqësuesen A të Dardanëve.
Fjala është për portierin e talentuar llapjan që aktivizohet te Tirana, Mustafë Abdullahu, si dhe mesfushorin Art Smakaj që luan në kampionatin kroat te Lokomotiva e Zagrebit.
Në fakt kjo dyshe ka luajtur më parë për Kosovën, por vetëm për grupmoshat dhe për herë të parë do të jenë të grumbulluar në ekipin A.
Mustafë Abdullahu ka qenë fantastik te Përfaqësuesja e Kosovës U21, sidomos në ndeshjen e fundit kur Dardanët e rinj arritën një barazim heroik 0-0 në udhëtim te Gjermania.
20-vjeçari ka një vit që është pjesë e skuadrës shqiptar vit që është pjesë e skuadrës shqiptare Tirana, derisa më parë ishte edhe pjesë e Besës së Kavajës.
Portieri shtatlartë karrierën e ka nisur te Llapi në Kosovë, derisa për një periudhë ishte edhe te Feronikeli ’74.
Në mesfushë për herë të parë është ftuar Art Smakaj, që luan me Lokomotivën e Zagrebit në elitën e futbollit kroat.
21-vjeçari ka lindur në Kroaci, derisa karrierën e ka nisur te Dinamo e Zagrebit dhe që nga viti 2016 ka kaluar të gjitha kategoritë te Lokomotiva deri në skuadrën e parë.
Smakaj ka luajtur më parë për Kosovën U19 dhe U21, derisa luan në pozitën e mesfushorit defensivë. Ai këtë edicion ka zhvilluar 30 ndeshje në total, ku ka një gol të shënuar dhe tre asistime.