Në pushtetin aktual ku Lëvizja Vetëvendosje udhëheq me shtetin, po nisin konfirmimet e dyshimeve për një pushtet paralel brenda institucioneve shtetërore. Kështu filloj mbrëmë debati televiziv në emisionin Pressing , paneli i të cilëve ka zbërthyer shumë tema të ndjeshme të karakterit të sigurisë publike por edhe ndaj individëve, veçmas ndaj gazetarëve që kritikojnë organet dhe zyrtarët e caktuar të Qeverisë Kurti e cila sipas gazetarit Kajtazi pronar i gazetës Paparaci, ka zbuluar një mjet përgjues që doli të ishte GPS i vendosur në automjetin e tij duke transmetuar bisedat dhe lëvizjet.
Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florin Krasniqi, njëherësh ish-kryetar i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së për katër vite, ka dhënë deklarata të ashpra për pushtetin që e drejton ish-partiaku i tij Albin Kurti.
“Unë e njoh mirë punën e AKI-së dhe mendoj se kjo është agjenci profesionale, është rezultat i një pune të palodhshme institucionale të njerëzve tanë dhe të aleatëve tanë, që bashkërisht e kanë ndërtu AKI-në. Problemi im kryesor si kryetar i saj nga pozita e deputetit ku kemi qenë të orjentuar që në AKI, mos me depërtu SHIK-u dhe Sigurimi i Atdheut, sepse ato dy grupe, kishin bo atë çka po e bëjnë këta sot”, ka thëtë Florin Krasniqi.
Panelistët, kanë deklaruar se kanë bindjen se AKI, është e shëndetshme dhe agjenci kredibile, i cili është institucion i besueshëm i shtetit dhe kërkojnë nga organet që të vihet te e vërteta e rastit Kajtazi në mënyrë që të individët apo grupet që veprojnë jashtë institucioneve të vihen para drejtësisë.
Duke qenë nenë në nivel të njohjes së detyrave zyrtare në këtë fushë ish-deputeti Florin Krasniqi ka thënë:
“Nëse Vetëvendosja ka arritur me kriju strukturë drejtpërdrejtë brenda AKI-së, rreziku kombëtar është më i madh se që mundemi me e paramendu. Unë kam shkua te Bashkim Smaka, natën ditën sepse isha kryetar i komisionit dhe ai ma ka qel derën se duhet me ditë çka po ndodh. Unë mendoj se Ganimete Musliu si kryetare e këtij komisioni duhet me i shku te dera (drejtorit të AKI-së) dhe me iu ul te dera, me marr karrigen me iu ul përpara…
Nëse është vendos paisja pa lejen e gjyqtarit, ky është akt kriminal. Njerëzit që e kanë vendos duhet të arrestohen menjëherë, e nëse kanë shku te gjyqtari dhe kanë marrë leje për me vendos mjetin përgjues, atëherë gjyqtari duhet me dëshmu, e unë nuk besoj se Vehbi Kajtazi e rrezikon Kosovën. Sa kam qenë unë aty kjo nuk kish ndodh kurrë por tash këta e kanë shumicën dhe aty janë do njerëz që as nuk e dinë pse kanë shku as nuk dinë pse janë aty”, ka thënë ish- deputeti dhe Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së Florin Krasniqi, duke shtuar se në VV, kurrë nuk mund të ndodh asgjë pa dijen e Albin Kurtit dhe se “situata aktuale nëse kjo ka ndodhur , është rrezik kombëtar”.
Eksperti kushtetues Blerim Burjani: Shteti duhet t’i mbajë nën kontroll institucionet kushtetuese
“Rasti i gjetjes së pajisjes përgjuese në makinën e gazetarit Vehbi Kajtazi, duhet të ketë një përgjigje institucionale e cila sqaron dyshimet dhe përjashton keqkuptimet”, ka thënë për Telegram News, eksperti kushtetues Blerim Burjani dhe shton:
“Keto duhet vërtetuar apo verifikuar, pra kërkohet hetim pas një procesi verifikues të jepet përgjigje në këto pretendime, e deri më tash nuk ka reagim institucional. Pra, duhet të pritet një qëndrim zyrtar i këtyre institucioneve të përmendura. Mbajtja nën kontroll e institucioneve të pavarura kushtetuese është e dëmshme për shtetin dhe qytetarët si e tillë është e pa pranueshme”, thotë Burjani.
Kohët e fundit gazetari Kajtazi paralajmëronte përcjelljen e tij nga struktura të AKI-së, por për pajisjen e përgjimit në veturën e tij, ende nuk janë deklaruar organet e shtetit.
Partia në pushtet po vazhdon fushatën parazgjedhore në diasporë duke qenë e interesuar me çdo kusht ta përthithë votën e diasporës me paraqitjen e arritjeve të jashtëzakonshme të shtetit, me shifra që janë kundërshtim me statistikat e Agjencionit të Statistikave të Kosovës, bankës Botërore, dhe së fundmi edhe në kundërshtim me Raportin e Progresit që iu dorëzua krerëve të shtetit .
Në një takim që pati Kryeministri Kurti në S.T Gallen të Zvicrës me studentët ai falënderoi Shoqatën e Studentëve Shqiptarë për pritjen dhe Prof. Dr. Christoph Frei me të cilën ka diskutuar për temën “Investimi në të ardhmen e Kosovës: Roli i politikës dhe ekonomisë në formësimin e mundësive dhe tejkalimin e sfidave për gjeneratën e ardhshme.
“Kam diskutuar gjithashtu për mënyrat e drejtpërdrejta dhe të prekshme në të cilat programi social demokratik i qeverisë sonë ka përmirësuar jetën e qytetarit mesatar të Kosovës, në sektorë që nga shëndetësia dhe arsimi i lartë e deri te pensionet dhe pagat e sektorit publik”, ka shkruar Kurti në platformën X.
Raporti i Progresit, ka paraqitur të metat e qeverisjes në të gjitha fushat institucionale dhe ka dhënë rekomandimet e tejkalimi të gjendjes në ekonomi, politikë, siguri e deri te formimi i asociacionit ./Telegram News