Shefi i Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për nesër do të trajtohet edhe siç ka thënë “udhëheqja e kundërligjshme e sistemit energjetik” nga Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali.
Në seancën e thirrur për në orën 12:00 do të diskutohet për çështjen e borxheve të kompanive që merren me ambalazhimin e ujit, për çka kishte edhe aksion në MMPHI javën e kaluar.
“Nesër nga ora 12:00/h, në emër të 41 deputetëve të opozitës kemi ftuar Seancë të Jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për të trajtuar keqpërdorimet e rreth 11 milion eurove të faljes së kundërligjshme të borxheve të kompanive ambalanzhuese të ujit nga Qeveria e Kryeministrit Albin Kurti, për të cilin rast tashmë ka edhe të arrestuar, e procesi është nën hetime penale. Në këtë seancë, domosdoshmërisht do të trajtohet edhe udhëheqja e kundërligjshme e sistemit tonë energjetik nga Dejona Mihali”, ka shkruar Tahiri.