Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka dal me rekomandim ndalimi për përdorim të ujit të Liqenit të Badovcit në periudhën aktuale dhe kjo masë do të zgjat deri në publikimin e rezultateve të lejuara të përdorimit të ujit nga Badovci. Mostrat e ujit të testuar kanë dalë me rritje të përqendrimit të nivelit të manganit.
Liqeni i Badovcit furnizon 27 vendbanime kryesore rreth Prishtinës dhe periferinë e kryeqytetit deri në Aktash, fshatrat Qagllavicë, Llapnasellë e deri në Matiqan, Bregun e Diellit, Lagjen e Spitalit, Marigona Hill, Prishtina e Re, Veterniku dhe shumë vendbanime të cilat figurojnë në hartën e ndalim përdorimit për pije të ujit nga Liqeni ku është rritur vlera e Manganit.
Rritja e vlerave momentale ka tejkaluar vlerat e lejuara nga 0.062 mg/dm3 deri te 0.250 mg/dm3. Ne bazë të rekomandimeve të OBSH-së, vlera e lejuar e Manganit është maksimalisht 0,05 mg/dm3 .
IKSHPK rekomandon që në këtë periudhë, uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale”, thuhet në njoftimin e Institutit.
IKSHPK ka rekomanduar të përcjellet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës duke rekomanduar të ndodh:
Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – gypave magjistral;
Shpërlarja e rrjetit shpërndarës – segmenteve të vogla;
Të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.
Paraqitja e “fenomenit” te Manganit në Liqenin e Badovcit është dukuri e vazhdueshme, e cila ndodh kryesisht në kohën e ndërrimit të stinëve. IKSHP ka thene se kjo dukuri në vitin e kaluar ishte shqetësuese, sepse përveç vlerave të shtuara të Manganit 2valent, u shoqërua edhe me kohëzgjatje të këtij fenomeni.
Cilat janë pasojat e përdorimit dhe nga dyshohet se vjen Mangani i shtuar?
“Mangani (Mn) është metali i pestë më i bollshëm në tokë. Mn është neurotoksik. Simptomat fillestare toksike të shoqëruara me Mn janë të natyrës psikiatrike dhe klinikisht përkufizohen si locura manganica”, ka shpjeguar shkencërisht pasojat e përdorimit të ujit me Mn tek njeriu Profesori universitar Msc,(PhD kandidat i shkencave të ushqimit) Mentor Ismaili, i cili ka theksuar edhe pasojat e këtij problemi:
“Shenjat neurologjike të Mn përfshijnë distoninë , bradikinezinë progresive dhe shqetësimin e ecjes, turbullimin dhe belbëzimin e të folurit kryesishtë tek fëmijët. Studimet tregojnë se fëmijët që kanë marrë Mn në ujin e pijshëm mbi nivelin prej 0.24 mg/L për një periudhë prej tre vitesh kanë performuar më dobët në shkollë. Po ashtu nga studiuesit u gjet gjithashtu një lidhje shumë e rëndësishme ku fëmijët të cilët kanë shfrytëzuar ujin e kontaminuar me vlera më të larta te manganit 2 valentë, rezultoi negativisht se funksioni verbal dhe rezultateve të koeficientit të inteligjencës në shkallë të plotë (IQ). Fëmijët e vegjël duket se përbëjnë një grup vulnerabël në popullatat e ekspozuara. Toksiciteti i Mn në ujë të pijshëm është një problem veçanërisht në zonat e mbetjeve industriale ose ku Mn rrjedh nga toka në ujin e pijshëm publik. Ka qasje praktike dhe me kosto efektive për të hequr Mn nga uji i pijshëm. Është thelbësore për të mbrojtur trurin në zhvillim kundër toksicitetit të Mn.”, ka sqaruar Ismaili duke shpjeguar se simptomat janë të natyrës psikiatrike.
“Simptomat fillestare në neurotoksicitetin e Mn janë të natyrës psikiatrike dhe janë të përcaktuara klinikisht. Këto simptoma të ashtuquajtura locura manganica ngjajnë shumë me ato që hasen te njerëzit me skizofreni, duke përfshirë paqëndrueshmërinë emocionale, sjelljen e dhunshme ose kompulsive dhe halucinacionet. Efektet neurologjike më së shpeshti fillojnë 1-2 muaj pas paraqitjes së sjelljeve psikiatrike”, ka thënë Ismaili. / Telegram News/