Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka raportuar në Komisionin Hetimor Paralamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve dhe mjeteve mësimore.
Por Bajrami ishte konfuze se për cilën periudhë ishte e ftuar për të raportuar. Ajo tha se ftesën e ka marrë si ish-ministre e Arsimit dhe se pyetjet si ish-ministre e Financave nuk janë të duhura.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, pyetjet i adresuan për kohën e shpërndarjes së teksteve shkollore, ndonëse atë kohë nuk ka qenë ministre Hykmete Bajrami.
“Prapë po them se ftesën e kam pranuar për të raportuar si ish-ministre e Arsimit dhe se ministri i Financave nuk ndan mjete për tekste shkollore. Kjo ministri ndan qarkore buxhetore e më pastaj Ministria e Arsimit i dedikon për të blerë tekstet”, tha ajo.
E deputetja e kësaj partie, Arjeta Fejza, pyeti Hykmete Bajramin nëse kanë marrë ankesa nga DKA për ndonjë parregullsi dhe për cilësi të teksteve shkollore.
“Nuk më kujtohet nëse ka pasur këso lloj ankesa”, u përgjigj Bajrami.
Për shpërndarje të teksteve shkollore, u pyet edhe nga deputeti tjetër i pushtetit, Arbër Rexhaj.
Por edhe këtë herë, Bajrami tha se nuk ka qenë ministre në periudhën kur janë shpërndarë të teksteve shkollore, pasi mandatin e ka marrë në shkurt dhe e ka përfunduar në qershor. /eo