Me rastin e shënimit të 25 vjetorit të Policisë së Kosovës, kryeministri, Albin Kurti, u shpreh se policia jo vetëm që ruan qytetarët e jep siguri, por ata janë të gatshëm dhe të japin jetën për Kosovën, shkruan Telegram News.
“Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës. Pas përpjekjeve të mëdha të popullit të Kosovës për liri, policia u bë institucioni i parë që me fisnikëri e besueshmëri i shërbeu qytetarëve të vendit, e që në mes dhimbjeve të madha dhe humbjeve nga lufta, sytë i kishte nga rimëkëmbja”, ka thënë sot kryeministri.
Por, disa vite më parë gjatë kohës kur Kurti ishte opozitë, këta Policë i quajti të “vdekur për së gjalli, e të korruptuar”.
“Po a e dinë ku unë e kam pa që në njëfarë mënyre kjo Policia jonë ka vdekë për së gjalli. Tetë mijë policë i kemi. A është ashtu? Shoktë e tyne ua dënuan. Asnjë polic nuk e çeli gojën. Kjo tregon se prej policit të thjeshtë e deri te Drejtori i Policisë, deri të Sindikata e Policisë, kanë vdekë për së gjalli. Prandaj, unë nuk kam shpresë për sundim të ligjit prej kësaj policie, që nuk i ka mbetur asnjë gram patriotizëm. Vazhdimisht është folur në Kosovë se qysh sistemi i drejtësisë është i korruptuar, është i kapur edhe disi është amnistuar Policia. Ama jo Policia është keç shumë?”, thoshte Kurti në vitin 2016.
Kujtojmë se përveç këtyre deklaratave, Kurti kishte protestuar dhunshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, karshi Policisë së Kosovës.
Një video e këtij momenti nga protesta në vitin 2015, kur Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar një protestë shihet se derisa Policia po i zbrapste protestuesit, Kurti e ndjekte një zyrtar policor duke iu drejtuar si “majmun”.
“O ti majmun, o majmun… në Mitrovicë në urë të Ibrit t’i kanë poshtru, t’i kanë poshtru kolegët e tu në Dumincë, s’tu ka ni zani, s’tu ka ni. Ik tash”, shprehej Kurti në 2015./TelegramNews./