Kombëtarja e Kosovës në futboll do ta nis të premten rrugëtimin e saj në edicionin e ri të Ligës së Kombeve dhe ballafaqimin e parë do të ketë më Rumaninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Trajneri i njohur kosovar, Bylbyl Sokoli, ka thënë se Rumania është rivali kryesor i Kosovën në grup, por është shprehur i bindur se “Dardanët” do të triumfojnë edhe në këtë sfidë.
“Sigurisht se vlera monetare e ekipit tonë tregon çdo gjë këtë grup, është ekip me vlerë më të madhe, me lojtarë cilësor, me lojtarë të cilët të krahasohen me lojtarët duhet kërkuar kualifikimin. Unë shpresoj duke pasur parasysh përbërjen tonë përball Rumanisë, mendoj që Rumania është rivali kryesor në grup dhe unë jam shumë optimist që Kosova do të kalojë në saje të cilësisë që ka, por shpesh ka ndodhur të na befasojë rrjedha e takimit sikur që ishte në Rumani”, tha Sokoli.
Duke folur për KosovaPress, Sokoli ka shtuar se forma e mirë e yjeve të Kosovës nëpër klubet e tyre respektive i japin përgjegjësi më të madhe trajneri për të nxjerrë më të mirën prej tyre.
“Duhet cekur tani se Zhegrova është në nivel tjetër, Rashica është krejtësisht në nivel tjetër, Muriqi në nivel tjetër, do të thotë kemi ngritje të formës dhe nivelit të tyre dhe unë po shpresoj trajneri do të di t’i menaxhojë. Trajneri ende nuk ka marrë pjesë në evenimente dhe kompeticione garuese dhe ka zhvilluar dy, tri ndeshje miqësore dhe besoj që ato dy ndeshjen i kanë shërbyer për ta parë formën, ta eksperimentoj mënyrën, vendosjen në lojë, cila është ajo skema që i përshtatet ekipit dhe në saje të cilësisë, Kosova duhet të kualifikohet”, theksoi Sokoli.
Në këtë grup ku bëjnë pjesë edhe Qipro dhe Lituania, Sokoli thotë se kualifikimi i Kosovës as nuk duhet ët vihet në pyetje.
Sokoli ka bërë thirrje për mbështetje sa më të madhe për Kosovën nga ana e tifozëve të premten mbrëma.
Ndeshja Kosovë-Rumani zhvillohet të premten me fillim nga ora 20:45.