Tetë shtatori i vitit të kaluar u konsiderua si datë shumë e rëndësishme për sportin e Kosovës pasi në Greqi Kosova fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Por, tashmë kur po bëhet një vit nga kjo marrëveshje, në Kosovë nuk është bërë asnjë hap për të përmbushur marrëveshjen e nënshkruar, madje nuk është formuar as Komiteti Organizativ që do të merrej me punët operacionale në teren.
Për më tepër, tashmë ka edhe një përplasje ndërmjet Komunës së Prishtinës si nikoqire e këtyre lojërave dhe Qeverisë së Kosovës si garantuese financiare e tyre. Kjo e fundit ka kërkuar nga ICMG (Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare) që të ndryshohet marrëveshje dhe qeveria të jetë bartëse e këtij organizimi. Një lëvizje të tillë të ekzekutivit kosovar e ka konfirmuar për KosovaPress Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke e quajtur atë si “kërkesë absurde”
Për të marrë një përgjigje rreth këtyre zhvillimeve, KosovaPress ka kontaktuar edhe Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG). Në përgjigjen e tyre, ata kanë thënë se nuk dëshirojnë ta komentojnë këtë situatë, derisa kanë rekomanduar që për këtë çështje të merren informacione nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
“Sa i përket Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, ju këshillojmë që të kontaktoni Komitetin Olimpik të Kosovës për t’ju ofruar më shumë informacion mbi këtë temë”, thuhet në përgjigjen e ICMKG-së.
Ndryshe, Lojërat Mesdhetare janë parë si mundësi e madhe dhe serioze që Kosova të përfitojë dhe të investojë në përmirësimin e infrastrukturës sportive pasi parashihet ndërtimi i shumë stadiumeve, sallave e pishinave olimpike nëpër komunat e Kosovës.