Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar objektin qendror të Shërbimit Korrektues të Kosovës në Prishtinë.
Ai ka qenë i shoqëruar edhe nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit është thënë se “u bisedua mbi punën dhe sfidat e shërbimit korrektues, teksa në 11 burgjet e Kosovës ndodhen gjithsej 1734 të burgosur, prej tyre 1120 të dënuar. U theksua miratimi i ligjit për SHKK-në me të cilin janë themeluar njësi të reja, si ato për Vlerësimin dhe Klasifikimin e të Burgosurve, për inteligjencë, njësia Ekonomike dhe themelimi i Institucionit për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta, si dhe miratimi i planit zhvillimor strategjik për SHKK-në 2023-2027, përmes të cilit synohet përmbushja e vizionit të agjencisë”.
Derisa edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se vizita është pjesë e angazhimit për të monitoruar dhe përmirësuar sektorët kyç të sigurisë dhe shërbimeve publike.
“Ajo do të ndihmojë në rritjen e transparencës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, për të siguruar që Shërbimi Korrektues të funksionojë sipas standardeve më të larta ndërkombëtare”, tha Haxhiu.