Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, ka thënë se janë rritur raportimet e qytetarëve për të shtënat me armë në ahengje.
Kështu ka deklaruar Gashani, gjatë takimit të grupit për implementimin e Strategjisë dhe Udhërrëfyesit Rajonal për Armë të Vogla, të Lehta dhe Eksplozivë –AVLE, të mbajtur të hënën në Ministrinë e Punëve të Brendshm.
Derisa thuhet se theks i veçantë në këtë takim i është dhënë fushatës vetëdijesuese: “Festo me zemër, jo me armë”.
“Ky takim pati theks të veçantë, fushatën vetëdijesuese: “Festo me zemër, jo me armë”, që është duke u zbatuar aktualisht nga MPB dhe me këtë rast Zëvendësministri Gashani, vuri në pah se kjo fushatë do të vijojë të jetë dinamike gjatë gjithë vitit, me qëllim që të arrihen synimet për rënien e numrit të rasteve ku ka të shtëna festive.Zëvendësministri Gashani vuri në dukje se fushata është duke i dhënë efektet e saj, pasi kemi një numër të shtuar të rasteve kur qytetarët janë duke i raportuar këto të shtëna, ndërkohë që këto raportime janë duke u trajtuar seriozisht në veprime konkrete nga Policia e Kosovës, të cilët janë dukë ndërhyrë në konfiskimin e armëve dhe arrestimin e të dyshuarave”, thuhet në njoftim.