Deputeti i PDK-së dhe ish- drejtori i Trepçës Ferat Shala, ka paralajmëruar falimentimin e kësaj ndërmarrjeje.
Njohësi më i mirë i problemeve të Trepçës dhe proceseve zhvillimore në këtë ndërmarrje, dyshon se qëllimet e Qeverisë aktuale janë për ta çuar në privatizim gjigantin “Trepça”. E dështimin prodhues e ndërlidh me kapjen e ndërmarrjes nga strukturat e VV-së dhe përjashtimin e inxhinierëve nga ndërmarrja.
“Sot në menaxhmentin e Trepçës dhe në Bord nuk ekziston asnjë inxhinier, kanë vendosur struktura politike me përgatitje shkollore të shkencave shoqërore që janë në kundërshtim të plotë me të gjitha parimet e industrisë minerare”, ka thënë deputeti Shala për të dhënë argumente shtesë për gjendjen në Trepçë:
“Në esencë sot Trepça është para falimentimit dhe fatkeqësisht nuk ka asnjë plan veprimi dhe as shpresë që Qeveria ta rikthejë këtë ndërmarrje apo tëvazhdojë më tutje. Ndoshta Qeveria ka pretendime tjera që nuk guxon t’i bëjë publike tani për tani për ta kthyer Trepçën në një situatë krejt tjetër apo për të shkruar drejt falimentimit ose privatizimit”, ka thënë Shala për TelegramNews.
Ndërmarrja Trepça si shoqëri aksionare, funksionon me 80% të aksioneve qeveritare, por mospërmbushja e detyrave të Qeverisë ka quar në një situatë jashtëzakonisht të rëndë ekonomike, situatë e rëndë menaxheriale, mbi të gjitha është situatë e rëndë financiare sepse ka dhjetëra milion obligime, si ndaj ndërmarrjeve tjera private por edhe institucioneve të tjera si mungesë e mbulimit të këtyre borxheve.
“Ajo çka është edhe më e rendë është se Qeveria përkundër premtimeve të mëdha për të investuar në ndërmarrjen Trepça, tash e katër vite nuk ka bërë asnjë investim. Mungesa e investimeve në Trepçë, mungesa e udhëheqjes së mirëfilltë, ndjekja e kuadrove, vendosja e militantëve në krye të saj”.
Gjendjen e rëndë në Trepçë e ka paraqitur edhe kryesindikalisti Ibrahim Januzi i cili ka përcjellur te Telegram News vendimin e minatorëve për të mos u kthyer në punë pa i paguar Qeveria dy pagat e fundit.
“Kemi ndërprerë punën për shkak të mos realizimit të pagave tash pothuajse jemi në fund të muajit korrik dhe punëtorët për dy muaj nuk kanë marrë paga e as shujta ushqimore”, thotë ai.
Derisa ka numëruar edhe problemet dhe arsyet pse quan te ndërprerja e punës.
“Krejt kjo, si rezultat i keq menaxhimit të ndërmarrjes ndër vite. Çka është më shqetësuese që nuk ka komunikim me Qeverinë që i bie një heqje dorë e Qeverisë apo Ministrisë nga zgjidhja e problemeve në Trepçë. Rrugëdaljen për zgjidhje na e kishte premtuar Qeveria Kurti, por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani”, tha ai.
Trepça nuk është më ndërmarrja që ishte dikur. Ajo më nuk prodhon 700 mijë tonë xehe minerare në vit, prej nga ndahen koncentratet dhe lëndët e para me vlera milionëshe . Trepça nga e cila ish Jugosllavia me 24 milionë banorë siguronte kredi miliardëshe për zhvillimin e shtetit dhe investime kapitale në sferën makro ekonomike për më shumë se 50 vjet, sot është para falimentimit dhe nuk ka remitencë pozitive pasi nuk ka as investime në mjete mbrojtëse të punës dhe prodhimtarisë.
Trepça aktualisht është në borxhe prej 30 milionë eurosh, para të cilat nuk i paguan Qeveria.
Trepça dikur prodhonte 216 kilogram ari në 24 orë, ka thënë ish minatori i shpallur tri herë “minatori sulmues i Titos”, i cili ishte i vetmi që kishte qasje në shkrietoren e arit në Zveçan, Hajriz Sinani, fakt të cilin nuk e ka demantuar as ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu.
Se ekziston gjendje e rëndë në Trepça, këtë e thotë edhe raporti i auditorit kombëtar i cili në raportimin e vet nga auditimi , ka gjetur probleme në shumë veprimtari të brendshme të ndërmarrjes.
“Është e rëndë për minatorët duke e marrë për bazë që dy muaj nuk kanë marra paga dhe shujta ushqimore dhe se 22 minatorë nuk kanë pranuar që të hynë brenda për shkak të mungesës së kushteve të punës.
Kushtet aty janë ekstreme, pa mjete pune, pa siguri. Ne nuk po kërkojmë kushte më të mira as nuk po kërkojmë rritje page, as nuk po kërkojmë obligimin e pagesës së trustit, e vetmja kërkesë është realizimi i pagës për këto dy muaj”, thotë krye sindikalisti Ibrahim Januzi dhe shton:
“Nuk kërkojmë obligimin e pagesës së trustit, e vetmja kërkesë është realizimi i pagës për këto dy muaj”, thotë kryesindikalisti Ibrahim Januzi
Se Trepça është lënë pas dore nga Qeveria Kurti, tregon shembulli më i keq se prej katër vitesh në Trepça nuk është investuar asnjë cent i vetëm.
“Prej vitit 2019 nuk kemi asnjë mjet të investuar në minierën e Trepçës. Mjetet e stërvjetëruar dominojnë kushtet e punës dhe si pasojë e kësaj është rritur edhe rrezikshmëria e e përdorimit të mjeteve.
Bazuar në llogaritjet që kemi, borxhet e Trepçës janë diku rreth 30 milionë euro, por pjesa më e madhe e borxhit është nga Komisioni i Pavarur për miniera dhe minerale, e që llogaritet në borxhet e shtetit, dikur rreth 10 milionë euro ka Trust dhe ATK edhe 5-7 milionë euro i ka te operatorët ekonomik për furnizimin dhe ecurinë e vazhdueshme të punëve. Nuk ka pasur vizita nga Qeveria përveç vitit të kaluar që ka qenë ministria por edhe prej tyre kishte vetëm premtime por diçka konkrete nuk ka pasur./TelegramNews