Dy pika të derivateve në Zveçan dhe Leposaviq janë mbyllur përkohësisht nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, pas konstatimit të operimit pa leje të shitjes me pakicë të derivateve të naftës.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka shkruar në Facebook se ky aksion është realizuar me sukses nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
“Verifikimi i dokumentacionit përkatës ishte në qendër të këtij operacioni, duke siguruar që çdo operator ekonomik të respektojë rregullat dhe ligjet në fuqi. Kujdes! Të gjitha subjektet që merren me tregtinë e produkteve të naftës dhe të karburanteve të ripërtërishme, duhet të pajisen me leje të vlefshme nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësiaë dhe Tregtisë, për zhvillimin e veprimtarisë së tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës. Ndaj atyre që operojnë në kundërshtim me ligjin, do të merren masa ndëshkuese strikte sipas legjislacionit në fuqi. Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë me kontrollet edhe në ditët në vijim”, përfundon njoftimi.
Ndërkaq rreth këtij rasti u deklarua edhe zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, për TelegramNews, i cili theksoi se aksioni ka përfunduar pa ndonjë incident. /TelegramNews.com.