Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thënë se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka injoruar dhe refuzuar komentet, sugjerimet dhe propozimet e përfaqësuesve të deleguar të KPK-së në grupet punuese, të formuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe në komisionet e Kuvendit të Republikës së Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit të ri për KPK-në, i cili është miratuar më 11 korrik 2024.
Në reagimin e KPK-së thuhet se qasja e Qeverisë së Kosovës dhe shumicës në Kuvend po synon bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokuroria në emër të reformës në drejtësi.
“KPK-ja thekson se miratimi i këtij ligji përbën mosrespektim dhe shkelje të hapur të parimeve kryesore të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit, që, në vetvete, paraqet një lloj absurditeti të llojit të rrallë, ngaqë përbërja e Ekzekutivit aktual, gjegjësisht, Ministria e Drejtësisë, nuk po arrin assesi të shmangë qëndrimet politike në raport me sistemin prokurorial, duke mos përfillur sugjerimet e shumanshme dhe duke rënë në kundërshtim jo vetëm me kërkesat e bazuara të përfaqësuesve të KPK-së, por edhe me kërkesat dhe rekomandimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare”, thuhet tutje.