Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, sot bëri një vizitë zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, ku u prit nga homologu Frank- Walter Steinmeier.
Bashkëpunimi dypalësh, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zhvillimet në rajon, zbatimi i agjendës së Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor si dhe çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes ishin në fokus të bisedës mes presidentit Begaj dhe Presidentit Steinmeier.
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj falënderoi homologun e tij gjerman për pritjen e rezervuar si një mundësi për vazhdimin e diskutimit të nisur gjatë vizitës së Presidentit Steinmeier në Tiranë në dhjetor 2022, si edhe për çështje për të cilat është arritur mbështetje dhe mirëkuptim.
Ky takim sipas Presidentit Begaj është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer politik midis dy vendeve, si dhe i vëmendjes së vazhdueshme të Gjermanisë mike ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Presidenti Begaj i përcolli Presidentit Steinmeier falënderime për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit mes dy vendeve aleate në NATO e që ndajnë vlera të përbashkëta Evropiane.
“Për këtë kontribuojnë edhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Gjermani apo bizneset gjermane që janë prezente në Shqipëri”, u shpreh Presidenti Begaj.
Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit mori mbështetjen dhe garancinë e plotë që Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me këtë rast i shprehu Presidentit Steinmeier vlerësimin e sinqertë për mbështetjen e zëshme politike dhe publike, si dhe asistencën e ndihmën e ofruar në këtë drejtim.
Për sa i përket zhvillimeve në rajon Presidenti Begaj u shpreh se roli dhe angazhimi i Gjermanisë mbetet i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm në mënyrë që sfidat me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor të mos ndikojnë apo kompromentojnë të ardhmen euro-atlantike.
Procesin e Berlinit, sipas Presidentit Begaj mbetet një mekanizëm inovativ dhe i patjetërsueshëm për forcimin e këtij bashkëpunimit, integrimin ekonomik të rajonit dhe po ashtu integrimin me tregun e vetëm evropian, si dhe një shtysë e fuqishme për procesin e integrimit në BE.