Janë 2700 personalitete mes 130 vendeve të botës që zakonisht mblidhen në Davos të Zvicërës një samit i përvitshëm ku theksohet bashkëpunimi por edhe krijohen mundësi për projekte të reja ekonomike dhe zhvillimore.
Vitin e kaluar Samiti i Davosit kishte në agjendë diskutimin kryesor për dëmet energjetike në Ukrainë të shkaktuara nga sulmet me dronë artilerik në rrjetin energjetik të këtij shteti e këtë vit mendohej se Gaza e Lindjes së Mesme do të ishte tema qendrore. Davosi është tubim i elitës ekonomike që prodhon ide nga viti 1971 kur edhe është themeluar me qëllim të rregullimeve në botë të proceseve ekonomike , i zgjedhur të mbahet në Alpet zvicerane dhe këtë vit u shënua 54 vjetori.
“Në Davos ka marrë pjesë Kryeministri Kurti me shumë këshilltarë, një ekskursion që ka shpenzuar 350 mijë euro të buxhetit të Kosovës, pa sjellur asnjë të mirë për vendin”, ka thënë për Telegram News, analisti Selatin Retkoceri , për të sjellur atë që ndodhi atje.
“Samiti i Davosit do të mbahet mend me vallet “tallava” dhe 350 mijë euro të shpenzuara e pa asnjë rezultat për shtetin. Albin Kurti së bashku me dhjetëra këshilltarë të tij mori pjesë në punimet tre ditore të Forumit ekonomik të Davosit.
Lajmi i tillë është i mirë për Kosovën, sikur ky forum të shfrytëzohej për zhvillim ekonomik dhe thithjen e investimeve të jashtme.
Ngjarjet si kjo e Davosit janë të mirëseardhura për ne, por çka të themi kur e shohim se shtëpia e një shqiptari “oligark” nga Shqipëria po shfrytëzohet për vallëzim, këngë e muzikë “tallava” ku shumë zyrtarë shfaqin talentin dhe dashurinë e tyre për muzikë dhe vallëzim të shfrenuar që nuk u ka hije zyrtarëve më të lartë dhe nuk u lejohen veprime të tilla në asnjë rrethanë. Bazuar në atë që shihet në një video të shpërndarë në rrjetet sociale shihet qartë se aty marrin pjesë e vallëzojnë zyrtarët më të lartë të shtetit nga kabineti i ngushtë i qeverisë Kurti!
Sipas informatave që tani më veç janë publikuar në media, kostoja e pjesëmarrjes në Samitin e Davosit i ka kushtuar buxhetit të shtetit hiq ma pak se 350 mijë euro. Kjo vlerë nuk është e madhe për një qeveri e cila do të ishte në gjendje të përfitonte investime të jashtme direkte nga investitorë të jashtëm.
Investime të tilla nuk kemi pasur tash e 6 vjet, që prej kur në pushtet ka ardhur Kurti me qeverinë 1 në vitin 2019 dhe qeverinë 2 me 14 shkurt 2021. Sigurisht se askush nuk do të investoj në një vend si Kosova, ku Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Kurti, thuajse për çdo ditë kanë paralajmëruar luftë në Kosovë. Kapitalistët bashkë me kapitalin e tyre janë “frikacakë” dhe nuk investojnë në vendet ku paralajmërohet luftë nga udhëheqësit e tyre më të lartë./Telegram News