Në 2 shtator 1909 nisi Kongresi Kombëtar i Elbasanit, një mbledhje mbarëshqiptare, që mori vendime të rëndësishme për përhapjen e shkollave shqipe dhe të shkrimit shqip.
U thirr me nismën e klubit shqiptar të Selanikut. Morën pjesë si delegatë 35 përfaqësues të klubeve dhe shoqërive shqiptare midis të cileve O. Pojani, Grigor Cilka, Gj. e S. Qirjazi, Mithat Frashëri, Dervish bej Biçaku, Refik Toptani, A. Dakli, H. Ohri, Abdullah Koprëncka, Th. Papapano, N. Kaçori, S. Shuteriqi, Selman Blloshmi etj.
Kongresi vendosi të themelohej në Elbasan, një shkollë e mesme pedagogjike (normale) shqipe me gjashtë klasa, që do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe dhe do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.
U vendos gjithashtu të ngrihej në Korçë shoqëria qendrore shkollore “Përparimi” e cila do të kujdesej për mbajtjen dhe administrimin e shkollës normale, do të punonte për hapjen e shkollave të tjera shqipe, për botimin e librave dhe teksteve shqipe. Në Kongres u kërkua që shoqëria “Përparimi” të njihej zyrtarisht prej qeverisë turke.
Vendimet e Kongresit të Elbasanit i dhanë një hov të mëtejshëm lëvizjes kombëtare./atsh/