Llapi ka njoftuar edhe zyrtarisht arritjen e marrëveshjes me klubin danez, AC Horsens, për shitjen e sulmuesit Muhamet Hyseni.
Hyseni ishte lojtari kryesor i Llapit këtë sezon, duke u shpallur edhe golashënuesit më i mirë në Albi Mall Superligën e Kosovës me 26 gola nga 34 ndeshje të luajtura.
Paraqitjet e tij të mira kanë bërë të Hyseni të bie në syrin e shumë skuadrave evropiane, por vetëm njëra ka arritur të fitojë garën për shërbimet e tij.
Bëhet fjalë për klubin danez, AC Horsens, i cili ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Hysenin dhe një gjë e tillë është konfirmuar nga faqja zyrtare e Llapit.
“Klubi Futbollistik Llapi njofton opinionin se ka arritur marrëveshje zyrtare për transferimin e futbollistit Muhamet Hyseni për 5 vite në klubin AC Horsens që bënë gara në divizionin e parë të futbollit danez”.
“Marrëveshja me klubin AC Horsens është arritur në pajtueshmëri të plotë me futbollistin Hyseni, i cili do u bashkohet atyre në përgatitje para datës 20 qershor”.
“Klubi ynë ka negociuar tash e disa muaj me klubin AC Horsens për transferimin e Hysenit, teksa sot edhe është zyrtarizuar nga klubi danez”, thuhet në njoftimin e Llapit.
Llapi detajet tjera nuk i ka bërë publike, por nga kjo shitje thuhet se ka fituar rreth 650 mijë euro dhe ka mbajtur 20% të kartonit për shitjen e ardhshme.
Transferimi i lojtarit është konfirmuar edhe nga faqja zyrtare e AC Horsens.