Asamblisti i VV-së në Prishtinë, Berat Lahu, i ka reaguar degës së kësaj partie në Prishtinë pasi mbrëmë lëshuan një komunikatë për ngjarjet në Kuvendin Komunal të kryeqytetit.
Lahu ka thënë se kjo komunikatë “nuk është aspak e denjë” dhe se përmban vetëm shpifje.
“Për ngjarjen e djeshme në Kuvendin komunal, dje pasdite Qendra e VETËVENDOSJE-s! në Prishtinë ka lëshuar një komunikatë që nuk është aspak e denjë për subjektin më të madh në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje, komunikatat gjithmonë i ka bazuar në fakte përderisa kjo e djeshmja përmbanë vetëm shpifje”, tha ai.
Lahu ka mohuar që e ka implikuar kryeministrin Kurti, derisa ka shtuar se e ka “shprehur mllefin që shumë herë është abuzuar me emrin e tij e të kryesisë qendrore, ashtu si në rastin e turpshëm të këmbimit të pronave në Badoc”.
Ai po ashtu ka thënë se kryesia e qendrës së VV-së në Prishtinë ka marrë vendim që të votohet buxheti në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje të parakohshme.
“Në komunikatën e djeshme akuzohem për kontrabandim të Buxhetit e mundësim të realizimit të interesave të Devollëve – deklarime të cilat asnjëra nuk qëndrojnë. Për votimin e Buxhetit, tashmë kryesia e qendrës dhe vet Gëzim Sveçla kanë marrë vendim që të votohet në mënyrë që të mos shkohet në zgjedhje të parakohshme, ndërsa për zgjerimin e kufirit të zonës ekonomike propozimi ka ardhur gjatë seancës, gjë të cilën në asnjë situatë nuk do ta përkrahja”, deklaron Lahu.
Lahu ka thënë se VV-ja duhet të merret me Egzon Azemin dhe Gëzim Sveçlën.
“Qendra e Prishtinës në vend se të bëjë akuza të pabaza kundër meje do të duhej të merrej me Egzon Azemin, i cili në seancën e djeshme duke e ditur se kamerat kanë qenë të kthyera nga ne, është afruar me vetëdije dhe ka provokuar. Njësoj është dashur të merren masa edhe ndaj Gëzim Sveçlës, që në rastin e Badocit, duke spekuluar në emër të kryesisë qëndrore mundësoi kuorumin për miratimin e vendimit të shkëmbimit të pronave në Badoc”, tha ai.