E para kritikë nga Administrata e Donald Trump karshi qeverisë kosovare erdhi nga Emisari Presidencial për Misione të Posaçme, Richard Grenell ndaj Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili kohëve të fundit goditi Administratën Biden se kanë vendosurt Kosovën “në pozitë të disfavorshme” ndaj Serbisë.
“Këta shpenzuan katër vite duke komplimentuar Joe Biden-in dhe duke marrë pjesë në konventa dhe festa të tyre. Pse nuk u ankuan më parë?”, ka shkruar Grenell në një reagim në “X”.
Ditë më parë Konjufca fajësoi Administratën Obama dhe atë Biden se kanë dëmtuar Kosovën në raport me Serbinë.
“Administrata e presidentit Biden, ma merr mendja, që kjo rrjedh prej administratës së presidentit Obama, këto në relacion me Kosovën, këta dy presidentë të shumë respektuar të Amerikës, prej vitit 2011, e kanë pasur një qasje ndaj Kosovës, e cila me thënë të drejtën, Kosovën e ka vendosur në situatë të disfavorshme ndaj Serbisë, këtë jemi dëshmitarë të gjithë. Pikërisht, administrata e presidentit Obama dhe Biden, dhe neve gjatë kësaj kohe, na kanë ndodhur disa çështje që i ka shty Serbia, që shumë e kanë dëmtuar reputacionin e Kosovës”, ka thënë Konjufca në RTK.