Të shtunën hapet zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025 dhe tash që ka mbetur një muaj deri te dita e votimit, subjektet politike, pritet ta dinamizojnë garën zgjedhore, por pa përfaqësuesit e Vetëvendosjes në tri emisionet më të shikuara televizive, T7, “Rubikon” Klan Kosova dhe “Debat plus” TV Dukagjini.
Vetëvendosja e Albin Kurtit, ka hequr dorë nga debatet në disa televizione më të shikuara, të cilat Kurti i ka quajtur në ironi si televizione të parëndësishme, ku sipas tij, opinionistët janë të ndikua nga titujt e portaleve që janë kundër Qeverisë Kurti.
Mungesën e debatit në emisionet më të shikuara televizive, Kurti ka synim ta plotësojë me “armatën kompjuterike”, veprimtaria ofenduese dhe fyese e të cilëve, është shtrirë masivisht në rrjete sociale dhe kudo që ka hapësirë për ta kryer punën e porositur.
Vetëvendosja e Kurtit, përveç heqjes dorë nga debatet televizive me rivalët, ka hequr dorë edhe nga koalicionet me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në pas zgjedhjeve.
Kurti tha të hënës se përjashton mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me ndonjërën nga tri partitë më tradicionale të pasluftës, pasi, sipas tij nuk ka parë ndonjë reformim të këtyre subjekteve në katër vitet e fundit.
“Ne nuk shohim mundësi që të kemi koalicione paszgjedhore, prandaj edhe i kemi bërë ato parazgjedhore, së pari me partinë Guxo dhe gjithashtu me partinë Alternativa, me të cilët kemi bashkëqeverisur në këto katër vjet dhe i kemi përvojat dhe mbresat më të mira nga njëri-tjetri. Partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë për dy dekada, nganjëherë dy prej tyre, nganjëherë të trija bashkë, PDK, LDK dhe AAK, në këto katër vite unë nuk kam parë që janë reformuar dhe kur e kemi parasysh se, sidomos në muajt e fundit, sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë politik, ndaj eksponentëve të subjektit tonë politik, ndaj qeverisjes sonë të mirë e demokratike, nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm”, ka deklaruar Kurti.
Ish – deputetja e VV-së Aida Dërguti: Nëse partitë tjera provojnë brirët me VV-në për profile“fake”, ato janë të humbura
“Partitë opozitare në këtë garë janë të humbura nëse provojnë me të njëjtën mënyrë të merren me pushtetin. Derisa partitë tjera i kanë përdorur odat dhe kafenetë, Vetëvendosja i ka përdorur rrjetet sociale dhe mendoj se është larg më e avancuar edhe me profilet ‘fake’, edhe me linçimet edhe me raportimet që do t’i bëjnë, ku kanë bllokuar njerëzve profilet”, tha Dërguti në Rubikon në Klan Kosova.
Më tej, Dërguti tha se ka gjasë që figurat kyçe të VV-së të mos dalin nëpër emisione gjatë fushatës zgjedhore, duke thënë se kjo mund të jetë strategji e tyre.
“Tani, mundësia e njerëzve që të dalin në studio është e pamundur t’iu mbyllet goja ndryshe përveç të kërkohet nga votuesit e tyre që të mos i përcjellin. Këta ka gjasë që të mos dalin nëpër emisione gjatë fushatës, mund të jetë strategji e tyre”, tha ajo
Selatin Retkoceri:Ministrja Albulena Haxhiu sulon mjetet publike të informimit
“Albulena Haxhiu sërish sulmon televizionet private, analistët dhe opinionistët”, ka thënë Retkoceri duke shtuar:
“Sulmi i djeshëm i ministres së drejtësisë kundër disa televizioneve më të shikuara në vendin tonë si është T7, Rubikon Klan Kosova por edhe në Kanal 10 dhe TV Dukagjini, paraqet një akt të shëmtuar kundër ligjit për liritë dhe të drejtat e medave për t’u shprehur lirshëm për të gjitha ngjarjet që ndodhin në vendin tonë dhe jo vetëm. Ministrja e frymëzuar nga kryeministri i vendit i cili vetëm brenda muajit dhjetor ka sulmuar hapur mediet elektronike, portalet, gazetat online, gazetarët, analistët, opinionistët dhe të gjithë ata që shprehen kundër qeverisë Kurti për të cilën ekziston një bindje objektive gati e të gjithëve se për këto katër vite të qeverisjes nuk ka bërë asgjë të mirë për vendin. Ministrja Albulena Haxhiu ditën e djeshme kulmoj me sulm të drejtpërdrejt kundër disa televizioneve më të shikuara në vendin tonë. Thirrja e ministres për të bojkotuar këto televizione nga të gjithë kandidatët për deputet nga lista e VV-së, pastaj nga ministrat dhe zyrtarët e lartë partiakë, paraqet një akt qyqarllëku dhe frike të prijësve të VV-së që të ballafaqohen me gazetarët dhe opinonistët e këtyre televizioneve. Bojkoti i T7, T10 dhe TV Dukagjini ka filluar që në natën e mbrëmshme dhe do të zgjasë krejt derisa të merret një vendim tjetër në parti”, ka thënë Retkoceri.
Sekretarja e Përgjitshme e PDK-së Vlora Çitkau, vendimet e Vetëvendosjes për ikje nga debatet i ka cilësuar si ikje nga përgjegjësia, duke thënë se “LVV mundet me vendosë me i ikë debatit në studio televizive. Por, VV nuk mundet me i ikë 9 shkurtit”, ka thënë Çitaku.
Partitë opozitare kanë ftuar në debat oponentë të Vetëvendosjes, por sipas tyre LVV ka refuzuar./Telegram News