Mbyllja e nëntë pikave postare të Telekomit të Serbisë në Veri, së bashku me vizitat e shpeshta për hapjen e urës ndarëse të Mitrovicës, mund të shkaktojnë edhe një përplasje me bashkësinë ndërkombëtare, paralajmërojnë ekspertët e sigurisë dhe njohësit e proceseve në veri të vendit.
“Më tepër mund të shkaktojnë probleme me bashkësinë ndërkombëtare se sa me serbët lokalë, të cilët janë pajtuar me një realitet të ri. Bandat serbe janë përndjekur dhe shumica e individëve që vlerësohet se ishin rreth 120 në numër, së bashku me Radoiçiqin kanë ikur në Serbi.
Në aspektin e sigurisë serbët lokalë ndihen më të lirë dhe nuk torturohen nga bandat e liderëve serbë të veriut.
Kurti e ka ndryshuar qasjen ndaj veriut dhe ai dëshiron t’i zgjidh marrëveshjet pa dialog. Kurti e ka vërejtur se s’ka dialog me Serbinë sepse ajo nuk e zbaton asnjë marrëveshje, pra marrëveshja për hapjen e urës para 7 viteve është dashur të zbatojë detyrimin, sepse për atë arsye është ndërtuar për t’u hapur e jo për të mbetur e mbyllur për shkak se patjetër duhet të ketë marrëveshje me Serbinë për hapjen e saj”, ka thënë Burjani.
Profesori dhe eksperti juridik dhe i sigurisë Blerim Burjani tej zgjatjen e hapjes së urës dhe mos zbatimin e marrveshjeve për 14 vjet i cilëson si diçka që ka kaluar çdo kufi.
“Ështe tepruar me disa marrëveshje që për me shumë se 14 vjet nuk janë zbatuar sepse s’ka perkahje as koordinim me QUNIT-n.
Tash me rëndësi është të ruhen raporte me ndërkombëtarët sa më shumë”, spikat Burjani diçka që thotë se do të jetë shumë e vështirë.
“Kurti ka prishur marrdhënjet me ndërkombëtarët sepse nuk e ka bërë dhe nuk do ta bëjë asociacionin, megjithatë, pakënaqësitë ndërkombëtare Kurti i ka shty përpara me zbatimin e marreveshjeve te dikurshme, e sa do të ndez kjo do të shihet më vonë”, thotë Burjani për Telegram News.
Ndryshe mendon ish Ministri Aleksandar Jabllanoviq nga Mitrovica veriore që ishte në funksion të Ministrit për Kthim nga 9 dhjetori 2014 deri më 3 shkurt 2015.
“Besoj se këto veprime (mbyllja e zyrave postare) janë projektuar me kujdes dhe në kohë. Ato janë pjesë e një fushate më të gjerë dhe afatgjatë të tentativës për spastrim etnik të serbëve, të cilën Qeveria e Kosovës dhe Policia e Kosovës po e bëjnë në koordinim”.thotë Jabllanoviq.
Ish ministri nuk e sheh si të fundit këtë veprim të Qeverisë së Kosovës, por ai thotë se na pret një fazë e rrezikshme dhe sfiduese me pasoja të pa riparjueshme. /TelegramNews/