Trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë Silvinjos, i ka vdekur nëna. Lajmin e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e futbollit përmes një njoftimi në faqen zyrtare.
“Me keqardhje të thellë, Federata Shqiptare e Futbollit, është njohur sot me lajmin e ndarjes nga jeta të nënës së trajnerit të Kombëtares shqiptare, Silvinjo. Federata Shqiptare e Futbollit i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes së trajnerit Silvinjo dhe të afërmve, për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme”, thuhet në deklaratën e FSHF-së.
Për këtë ka reaguar edhe presidenti i kësaj federate, Armand Duka. Ai ka thënë se ky është nja lajm shumë i hidhur.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të nënës së trajnerit të Kombëtares sonë, Silvinjo. Në emrin tim, në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të çdo anëtari të komunitetit të futbollit i përcjell trajnerit Silvinjo ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe. Në këtë moment të vështirë i gjendemi pranë Silvinjos dhe familjes së tij, që humbën një njeri shumë të dashur për ta”, ka thënë Duka.