Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në Hagë, sot, pritet të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Të hënën, në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ka përfunduar dëshminë dëshmitari Skender Zhitia, ish-pjesëtar i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit. Dëshmitari tha se populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe djemtë të cilët e kanë themeluar atë. Zhitia u pyet nga prokuroria lidhur me librin e tij të shkruar për ngjarjet në UÇK.
Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët” këtë javë pritet të mbahen katër seanca gjyqësore. Kurse në shtator pritet të mbahen 13 seanca, raporton RTKlive.
Kujtojmë seanca e djeshme ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, nisi me një sqarim nga trupi gjykues, ku u tha se nuk ka monitorim të bisedave në mes të avokatëve dhe të paraburgosurve.
Ndryshe, rasti gjyqësor ‘Hashim Thaçi dhe të tjerët’, filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.