Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, u nderua me titullin “Anëtar Nderi” i përjetshëm i Federatës Pan-Shqiptare “VATRA” gjatë një vizite në selinë e organizatës.
Atje, siç bën të ditur Haradinaj në një postim në Facebook, theksoi nevojën për përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale me SHBA-në dhe rëndësinë e anëtarësimit të shpejtë të Kosovës në NATO.
“Kosova duhet të punojë për një plan strategjik të sigurisë që të sigurojë nga bashkësia ndërkombëtare një plan masash për anëtarësim të shpejt në NATO, pasi Kosova ka ushtri të aftë, profesioniste, një gjeneratë e shkëlqyer profesionistësh,” deklaroi Haradinaj.
Ai u bëri thirrje shqiptaro-amerikanëve, veçanërisht Federatës ‘VATRA’, të angazhohen pranë autoriteteve amerikane për të përshpejtuar këtë proces.
Haradinaj njëherësh vlerësoi rolin e diasporës në avancimin e interesave kombëtare të Kosovës.
“Pritja nga vëllezërit dhe motrat shqiptare në selinë e Federatës Pan-Shqiptare ‘VATRA’ më bën gjithmonë të ndjehem i nderuar dhe të kuptoj se sa i rëndësishëm është ky institucion për shqiptarët kudo që janë,” shtoi ai.