Në Ukrainë, dëmet e shkaktuara nga lufta, deri në fillim të këtij viti, kapin shifrën e mbi 150 miliardë dollarëve, sipas Fakultetit Ekonomik të Kievit. Por disa studiues në Shtetet e Bashkuara, krahas aktivistëve ukrainas që luftojnë korrupsionin, tashmë po planifikojnë periudhën e pasluftës dhe rindërtimin. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës Iulia Iarmolenko, Universiteti “Princeton” së fundmi ka krijuar një bazë ligjore të të dhënave për të ndihmuar këto përpjekje.
Joshja e investimeve perëndimore në Ukrainë dhe zvogëlimi i korrupsionit gjatë përpjekjeve për rindërtimin e vendit, janë dy qëllimet e projektit të ri të Fakultetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Çështjeve Publike të Universitetit ‘Princeton’.
Në qershor, Programi për Inovacion dhe Shoqëri të Suksesshme i këtij universiteti, nisi përpilimin e një baze të detajuar të dhënash mbi ligjet ukrainase rreth rindërtimit.
Drejtorja e këtij programi, Jennifer Widner thotë se baza e të dhënave ua lehtëson kompanive të mësojnë ligjet e Ukrainës, të cilat mund të jenë të vështira për t’u kuptuar dhe të bëjnë biznes në Ukrainë.
“Do t’u ndihmojë kompanive private të vendosin që të marrin pjesë ngaqë do të kenë parasysh pozitën ligjore, dobësitë dhe mundësitë ligjore,” thotë ajo.
Koalicioni për Integritet, një organizatë jofitimprurëse kundër korrupsionit, mbikëqyri këtë projekt. Përfaqësuesit e kësaj organizate thonë se qëllimi është të hiqen pengesat e mundshme që shkaktohen nga relievi i komplikuar ligjor që ndryshon vazhdimisht. Drejtuesi i organizatës, Worth MacMurray thotë se baza e të dhënave do t’u mundësojë kompanive perëndimore të mendojnë për investime në Ukrainë.
“Qëllimi i projektit është që kjo bazë e të dhënave të përdoret nga të gjitha kompanitë e sektorit privat dhe publik, jo vetëm për kompanitë amerikane, për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës,” thotë ai.
Kjo bazë të dhënash është vetëm njëra pjesë e një projektit më të madh që filloi në vitin 2022 kur ekspertja ukrainase kundër korrupsionit Oksana Nesterenko shkoi në Princeton për një vizitë studimore.
Ajo dhe zonja Widner filluan të punojnë së bashku për të gjetur mënyra të reja për ta rindërtuar Ukrainën me transparencë dhe ekspertja Nesterenko thotë se ato po ashtu filluan trejnimin e specialistëve në Ukrainë që të ndihmojnë në këtë drejtim.
“Synimi kryesor është të angazhojmë sa më shumë njerëz në Ukrainë, që punojnë në aspektin e zvogëlimit të rreziqeve të korrupsionit dhe idetë t’u përcillen niveleve drejtuese …”, thotë ajo.
Zonja Widner thotë se krizat krijon mundësi të shumta për zhvillim dhe për sukses në të ardhmen. Ajo është e bindur se brenda një dekade, përvoja e Ukrainës do të shërbejë si shembull se si duhet të menaxhohet periudha e pasluftës./voa