Seanca gjyqësore u rikthye për të dyten herë në Gjykatën e Ferizajit.
Bëhet fjalë për rastin ndërmmjet Mentor Ramadanit dhe kompanisë “EURO ABI” me pronar Kadrush Rexhepi, ku Ramadani po kërkon dëmshpërblim për shkak të aksidentit në vendin e punës.
Më 10.11.2016, Mentor Ramadani ishte lënduar në vendin e punës, dhe më 14.03.2017 e kishte paditur kompaninë për kompensim të dëmeve të shkaktuara nga aksidenti. Më 27.12.2018, Gjykata e Ferizajit kishte vendosur që 55 mijë e 828 euro e 58 cent, është shuma që i takon Mentor Ramadanit.
Gjykata e Apelit e riktheu këtë vendim për shkak se Gjykata e Ferizajit përgjatë këtij vendimi kishte bërë shkelje të rregullave. Gjykata e Apelit e vlerësoi se shkalla e parë nuk kishte bërë sqarimin e duhur të bazës juridike të kërkesës së padisë.
Pas kthimit të rastit në rivendosje, Gjykata e Ferizajit vendosi se shuma që i takon Mentor Ramadanit për dëmet jomateriale dhe materiale që i ka pësuar në aksidentin është 44 mijë e 880 euro.
Mentor Ramadani ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit për herë të dytë duke e kundërshtuar pjesërisht aktgjykimin dhe gjithashtu duke kërkuar shumën prej 150 mijë e 673 euro në emër të dëmit. Veçmas, Ramadani kërkoi kompensim prej 25 mijë euro për prindërit e tij për shkak të dhimbjes shpirtërore për arsye të invalidetit të birit të tyre.
Gjykata e shkallës së parë, këtë kërkesë e kishte cilësuar si të pathemeltë më 08.04.2024.
Kadrush Rexhepi është shpallur fajtor u dënua me gjobë prej 3 mijë euro nga Gjykata e Ferizajit më 27.01.2023, për veprën për falsifikim të kontratës së punës të Mentor Ramadanit.
Ndaj Kadrush Rexhepi kanë rënduar edhe akuzat për veprën penale të asgjësimit, dëmtimi ose heqjes së pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimit të sigurisë në vendin e punës. Sipas dosjes së prokurorisë në muajin nëntor të vitit 2016, në kompaninë “Jatex” në Gjakovë, Kadrush Rexhepi si përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk i kishte siguruar pajisjet mbrojtëse në vendin e punës, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përkatësisht punëtorëve.
Në këtë rast derisa i dëmtuari Mentor Ramadani, si llamarinë punues në firmën “Euro-Abi”, kishte qenë duke bartur një panel-llamarine të izoluar për mbulimin e kulmit, i njëjti kishte humbur drejtpeshimin, kishte rrëshqitur dhe kishte pësuar lëndime të rënda trupore, thuhet në aktakuzë. Edhe në këtë gjykim, i dëmtuari Ramadani kishte shprehur se i është falsifikuar nënshkrimi dhe nuk ka pasur kontratë pune.
Në lidhje me këtë rast, prokurori Ramiz Buzhala ishte ndëshkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, të cilit i është shqiptuar një masë disiplinore.
Rezultati këtij ndëshkimi kishte ardhur si pasojë se prokurori Buzhala gjatë trajtimit të rastit, e kishte udhëzuar familjarin e një viktime të lënduar në vendin e punës, në mënyrë që viktima të tërhiqet nga ndjekja penale ndërsa pronari i një biznesi të dënohet më pak.