Për shqiptarët e Kosovës, Shqipëria për vite të tëra ishte destinacioni kryesor për të kaluar pushimet e verës.
Megjithatë, liberalizimi i vizave që u jetësua në janar të këtij viti, ka shtuar destinacione të reja.
Sipas agjencive turistike në Kosovë vendet si Greqia, mbesin të kërkuara për fundjava, ndërkohë që dominon kërkesa për pushime edhe ne Turqi.
Ndërkohë, Shqipëria mbetet akoma si destinacioni kryesor i pushimeve për shumë kosovarë.
“Për atë mungesë që ne patëm nga janari deri në prill në brigjet e Durrësit, Shëngjinit dhe komplet brigjeve të Shqipërisë, tashmë ky deficit, po kalon në suficit turistik, që realisht është një numër i madh i qytetarëve të Kosovës që edhe për 2024 pushimet verore do t’i kalojnë në Shqipëri”, tha Ruzhdi Kurtishaj, udhëheqës i agjencisë turistike.
Ndër arsyet kryesore ka të bëjë më çmimin më ekonomik të shërbimeve.
“Për shkak të ofertës ekonomike, Shqipëria mbetet destinacioni kryesor i qytetarëve të Kosovës, jo vetëm për shkak të afërsisë dhe gjuhës, por edhe për shkak të shërbimeve dhe çmimeve”, tha Kurtishaj.
Sipas statistikave përgjatë vitit 2023, nga Kosova hynë mbi katër milionë persona ose rreth 43% e numrit të përgjithshëm të turistëve.