Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo ka thënë se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe vështirë se do të zgjidhej çështja e Kosovës. Madje, -ish-kryediplomati shqiptar theksoi se shtetësia dhe pavarësia e Kosovës i ka rrënjët tek lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Konferenca e Rambujesë.
Këto komente, profesor Milo i bëri në kuadër të një ligjërate të hapur me temën “Roli i diplomacisë shqiptare në Konferencën e Rambujesë dhe përgjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë”, e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë me rastrin e 80-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë dhe 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.
Në këtë ligjëratë para studentëve në Fakultetin Filozofik, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo theksoi se shtetësia e Kosovës i ka rrënjët tek lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në Konferencën e Rambujesë.
“Ata që e nisën luftën çlirimtare, ata që e udhëhoqën luftën çlirimtare, ata që e përfunduan me sukses luftën çlirimtare ata meritojnë të mbeten për jetë monumente të historisë kombëtare, kanë gjithë vendin e merituar në historinë e Kosovës gjithsecili me rolin dhe kontributin e tij…Kjo është mëritë e atyre liderëve shqiptarë të Kosovës duke filluar nga Ibrahim Rugova, që e nisi, e hapi rrugën e deri tek Hashim Thaçi dhe të gjithë udhëheqësit e tjerë të UÇK-së që e çliruan Kosovën dhe ndërtuan shtetin e ri modern dhe demokratik të Kosovës. Dhe rrënjët e këtij shteti janë pikërisht atje tek ajo luftë, por në aspektin diplomatik fillojnë në Konferencën e Rambujesë“, theksoi ai.
Diplomati shqiptar teksa foli për kontributin e politikës shqiptare në çështjen e Kosovës gjatë periudhës së luftës, i cili tha se përkundër presionit nga ndërkombëtarët për ta cilësuar UÇK-në si terroriste, qeveria shqiptare asnjëherë nuk e ka bërë një gjë të tillë.
“Ne kemi pasur presione për të qenë të sinqertë që të mos e njihnim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ne kemi pasur presione edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë madje që siç e cilësuan në fillim si terroriste, na bënin presionin që edhe neve ta cilësonim terroriste në fillim pas janarit të vitit 1998, sigurisht që ne nuk e bëmë se nuk kishim pse ta bënim as nuk pranimin ta bënim dhe këtu kemi luajtur rol se nga njëra anë mbështesnim, e angazhoheshim dhe nga ana tjetër atje ku nuk na interesonte qëndronim në heshtje. Por , nuk thoshim kurrë si shtet dhe si qeveri në atë kohë se UÇK është terroriste”, u shpreh Milo.
Ish-ministri shqiptar, Paskal Milo e ka cilësuar si moment dramatik Konferencën e Rambujesë.
Milo theksoi se pa mbështetjen e ShBA-ve dhe të Britanisë së Madhe çështja e Kosovës ishte vështirë për t’u realizuar.
“Ka qenë shumë dramatike momenti final i Konferencës së Rambujesë, vetëm burrat të tillë vendimmarrës të mëdhenjtë siç ishin anëtarët e delegacionit bënë që ai moment final shumë delikat të përfundonte me shumë sukses…32’01 Pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe pa mbështetjen e Britanisë së Madhe në atë kohë çështja e Kosovës do të ishte shumë e vështirë për t’u realizuar. E kemi pasur fatin që ishte Bill Clinton në atë kohë president i SHBA dhe Medeleine Albright sekretare e shtetit, kemi pasur fat që kryeministër ishte Tony Blair në Britani dhe Robin Cook sekretar i jashtëm, këta janë katër njerëzit që e kanë bërë në subsatancë pavarësinë e Kosovës, por të mos donin këta nuk bëhej”, theksoi ai.
Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj u shpreh se Konferenca e Ramubujesë shënon një pikë kthese ku përpjekjet dhe aspiratat e Kosovës për liri dhe drejtësi morën formë konkrete në sytë e botës.
Ndërsa, Malaj tha se diplomati, Milo ka ndihmuar ka ndihmuar në promovimin dhe formësimin e çështjeve kombëtare në skenën ndërkombëtare.
“Na fton të kthejmë sytë pas në një periudhë ku diplomacia dhe përfaqësimi ynë jashtë vendit luan një rol kyç. Konferenca e Rambujesë nuk ishte vetëm një vendim politik apo një marrëveshje diplomatike, ishte një pikë kthese ku përpjekjet dhe aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe drejtësi morën formë konkrete në sytë e botës. Është gjithashtu një moment ku diplomacia shqiptare dhe mbështetja e vendosur e partnerëve ndërkombëtarë veçanërisht e NATO krijuan kushtet për një ndërhyrje të drejtpërdrejtë dhe humanitare që qoi në lirinë e Kosovës”, theksoi ai.
Në këtë ligjëratë të mbajtur nga ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Paskal Milo mori pjesë edhe publicisti Veton Surroi, Arsim Bajrami e profesor të tjerë të njohur.