Teatri Kombëtar i Kosovës sot ka kaluar në grevë të përgjithshme.
Shoqata Sindikale e Artistëve të TKK, në krye me aktoren Sheqerie Buqaj ka njoftuar se si shenjë rezistence ndaj mospërfilljes së kërkesave të tyre për rritje të koeficientit të pagave do të anuloj çfarëdo aktiviteti artistik në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
“Duke parë se kërkesat tona sindikale nuk janë realizuar pavarësisht, premtimeve, duke mos parë asnjë rezultat të prekshëm nga takimet e mbajtura, ndërmarrjes së masave sindikale dhe paralajmërimit për këtë grevë, madje pas mospërfilljes së vullnetit tonë ku kemi dhënë edhe një afat dyjavor për realizimin e kërkesave tona nga ana e MKRS-së, pas shterrjes së të gjitha afateve dhe mundësive, pas mos realizimit të kërkesës sonë edhe përmes ndërmjetësuesit, atëherë ne pa vullnetin tonë, konsiderojmë se mbajtja e një greve të përgjthshme është e vetmja formë që tërheq vëmendjen e punëdhënësit që ai të nisë t’i realizojë kërkesat tona”, ka thënë në një konferencë për media Sheqerie Buqaj.
Në konferencë u tha se vendimi është marrë në formë unanime me pjesëtarët tjerë të Shoqatës Sindikale, dhe se nuk do të ketë tërheqje nga greva deri në plotësimin e kushteve të kërkuara. Pjesëtarët e Shoqatës Sindikale janë: Shpejtim Kastrati, Shëngyl Ismaili, Shkëlzen Veseli, Adrian Morina dhe Maylinda Kosumoviq