Shefi i Grupit Parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se janë duke u komanduar nga persona që s’kanë asnjë kompetencë në Qeverinë Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka pyetur se si mund të besohet dikush që s’ka as mandat e as pozitë.
“Si mund t’iu besojnë qytetarët institucioneve, kur në prapavijë të tyre komandon dikush tjetër. Dikush që s’ka as mandat, as pozitë, as autorizim e rrjedhimisht, nuk jep as llogari për veprat e veta. E mosbesimi, është hapi i parë i rënies së një shteti modern. Megjithatë, qytetarët e Kosovës gjithmonë kanë ditur ta bëjnë diferencën, kur është fjala për atë çka na përbashkon në fatin tonë kolektiv – sigurinë dhe perspektivën e Kosovës”, ka shkruar Tahiri.
Madje sipas Tahiri, qytetarët e kanë në dorë të vendosin për të ndryshuar situatën në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Duke i çliruar institucionet nga kapelat e zeza. Ata duan qeverisje të hapur, transparente, llogaridhënëse e me perspektivë”, ka përfunduar Tahiri.