Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kujtuar Rreshterin Afrim Bunjaku në përvjetorin e parë që nga vrasja e tij në krye të detyrës në Banjskë.
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla tha se rënia e Bunjakut ka mbrojtur sovranitetin dhe territorin e Kosovës.
“Rënia e tij mbrojti sovranitetin e territorin e vendit tonë andaj është edhe heroike, edhe e paharrueshme. Ajo është rruga që kolegët e tij e kalojnë çdo ditë në shërbim. Mesazhi që dha Rreshter Afrimi është i qartë, terrorizmin e luftojmë me çdo kusht. Rruga që trasoi Afrimi është e përditshmja jonë bashkë me kolegët e tij, sundimi i rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës sonë”, tha ai.
Ministri tutje tha se për vrasjen dhe organizimin e sulmit përgjegjësia është drejpërdrejtë e Serbisë.
“Përgjegjësia për vrasjen e Heroit Afrim Bunjaku dhe organizimit të atij sulmi terrorist është drejtpërdrejtë e Serbisë. Drejtësia është e pashmangshme dhe Serbia duhet të dorëzojë terroristët sa më parë”, theksoi ai. /TelegramNews/