Ministra e Ekonomisë ka shpall thirrje publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë, në veçanti konsumatorët në nevojë në investimin në sisteme të energjisë së ripërtëritshme – Sistemi fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike.
Sipas thirrjes publike, subvencionohet vetëm një sistem fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum për një shtëpi dhe sistemi duhet të blihet i ri.
Në tabelën më poshtë mund të gjeni kriteret për aplikim, kriteret teknike, vlerën e subvencionit dhe sqarimet shtesë për secilën prej pajisjeve që do të subvencionohen.
https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2024/07/…
MËNYRA E APLIKIMIT PËR SUBVENCION
Aplikimi për subvencionim është e ndarë në dy faza dhe në të dy fazat aplikimi bëhet online përmes platformës e-Kosova.
Faza I
1. Sigurohuni që plotësoni kriterin për aplikim në lidhje me konsumin e energjisë elektrike këtu: https://ekosova.rks-gov.net/485
2. Shkarkoni formularin “Shtojca 1” nga platforma e-Kosova në linkun më lart dhe me ndihmën e kompanisë instaluese plotësoni dhe ngarkoni formularin;
3. Ngarkoni dëshminë e marrjes së pëlqimit për kyçje në rrjet nga KEDS (nga data e hyrjes në fuqi të rregullës për vetë-konsumatorët nga ZRRE);
4. Ngarkoni fotografi të sipërfaqes ku do të instalohen panelet solare fotovoltaike; Pas verifikimit nga komisioni se dokumentacionet e kërkuara janë konform kritereve, ju do të njoftoheni se jeni kualifikuar për këtë fazë dhe mund të vazhdoni me instalimin e sistemit fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike sipas kritereve teknike të specifikuara në thirrje. Për rezultatet e aplikimit në fazën I do të njoftoheni sipas afateve zyrtare, brenda dhjetë (10) ditë pune.
Vegëzën (linkun) për aplikim në fazën e dytë do ta pranoni në email adresën me të cilën e keni hapur llogarinë e juaj në e-Kosova.
Faza II
Pas instalimit të sistemit fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetë-konsum, sipas kritereve të specifikuara në thirrje, ju duhet të aplikoni për fazën II përmes platformës eKosova që të ju mundësohet përfitimi nga ky subvencion, duke ngarkuar dokumentet në vijim:
1. Kuponin fiskal apo faturën e rregullt me dëshmi të pagesës përmes transferit bankar të blerjes së sistemit (data e blerjes duhet të jetë nga data e shpalljes së thirrjes më 06.02.2024);
2. Fotografi të sistemit fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike për vetëkonsum të instaluar sipas kritereve të specifikuara në thirrje;
3. Broshura e prodhuesit (data sheet) me specifikacionet teknike të moduleve fotovoltaike që dëshmon përmbushjen e kritereve për verifikim preliminar (Pika V e Shtojcës 1);
4. Broshura e prodhuesit (data sheet) me specifikacionet teknike të invertorit që dëshmon përmbushjen e kritereve për verifikim preliminar (Pika V e Shtojcës 1);
5. Dëshminë e autorizimit nga ZRRE (nga data e hyrjes në fuqi të rregullës për vetëkonsumatorët nga ZRRE);
6. Raportin e pranimit teknik të kapacitetit të instaluar nga KEDS për energjizim, sipas legjislacionit në fuqi;
7. Marrëveshja juaj e subvencionimit do të gjenerohet automatikisht në platformën eKosova. Kjo marrëveshje duhet patjetër të shkarkohet, të nënshkruhet, dhe të ngarkohet së bashku me dokumentet e sipërpërmendura. Në këtë fazë ju kërkohet të vendosni numrin e xhirollogarisë tuaj bankare e cila duhet të jetë në emër të aplikuesit dhe nga ndonjëra prej bankave të licencuara brenda Republikës së Kosovës. Pas ngarkimit të dokumenteve të listuara më lartë në platformën online e-Kosova, ju do të pranoni një njoftim automatik me përmbajtjen: “Aplikimi juaj është realizuar me sukses.
Aplikacioni juaj do të vlerësohet nga Komisioni përkatës i Ministrisë së Ekonomisë (ME), i cili do të shqyrtojë nëse dëshmitë e ngarkuara në platformën e-Kosova janë konform kritereve të kësaj thirrjeje. Për rezultatet e aplikimit do të njoftoheni sipas afateve zyrtare”.
Nëse aplikacioni juaj vlerësohet pozitivisht nga Komisioni përkatës i Ministrisë së Ekonomisë (ME), ju do të njoftoheni përmes platformës e-Kosova dhe do të pranoni mjetet nga subvencioni në xhirollogarinë tuaj.
Sistemi fotovoltaik (FV) për prodhimin e energjisë elektrike, duhet të jetë i instaluar dhe i gatshëm për inspektim nga momenti që aplikoni për fazën e dytë.
Afati për aplikim
Afati i fundit për aplikim për fazën e parë është deri me datën 31 gusht të vitit 2024, ose deri në shpenzimin e buxhetit të alokuar për këtë thirrje. Aplikimet e pranuara në fazën e parë do të shqyrtohen bazuar në parimin “KUSH APLIKON I PARI, SHËRBEHET I PARI”, andaj inkurajoheni të aplikoni sa më herët.
Ndërsa, afati i fundit për fazën e dytë është deri me datën 31 tetor të vitit 2024.
E drejta për ankesë
Aplikantët të cilët vlerësojnë se aplikimi i tyre nuk është vlerësuar drejtë nga Komisioni përkatës i Ministrisë së Ekonomisë (ME), mund të ushtrojnë të drejtën e ankesës në afat prej tridhjetë ditësh, nga dita e pranimit të njoftimit, konform Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative (LPPA). Ankesa i drejtohet Ministrisë së Ekonomisë (ME) si autoritet që ka publikuar thirrjen në email adresën: 📧 [email protected]
Sqarime shtesë
Për më shumë informacione dhe sqarime shtesë rreth fazave të aplikimit mund të drejtoheni
me shkrim në email adresën: 📧 [email protected] apo të kontaktoni në
numrat e telefonit si më poshtë:
☏ 038 200 215 89
☏ 038 200 215 55
Nga e hëna deri të premten, duke filluar nga ora: 08:30-12:00 dhe nga ora 13:00-16:00