Komuna e Mitrovicës së Veriut organizon sot një takim dhe bashkëbisedim me qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të mediave lokale me temën “Bashkëpunimi ndëretnik, këshillim komunal për siguri në bashkësi, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe shoqërisë civile”.
Aty, veç kryetarit Erden Atiq, do të marrin pjesë edhe Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani e zyrtar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Takimi është paraparë të nis nga ora 11:00 dhe mbahet në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut.
Ndërkaq lidhur me këtë takim, dje, Kryeministri Albin Kurti tha se aty pritet të diskutohet për përfitimet nga hapja e Urës së Ibrit.
Ai i ka ftuar qytetarët serbë që të marrin pjesë në këtë diskutim, në të cilin ai ka thënë se do të diskutohet për përfitimet që qytetarët do të kenë nga hapja e Urës së Ibrit.