Sot Ismet Munishi edhe zyrtarisht mori “frenat” e Dukagjinit, ekip të cilin do ta drejtojë nga sezoni i ardhshëm në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Munishi bëri kalimin e tij në Klinë, duke zëvendësuar kështu Armend Dallkun i cili u largua nga Dukagjini pas një aventure prej katër vitesh, ku vlen të theksohet pjesëmarrja në Ligën e Konferencës si arritja e tij kryesore.
Sidoqoftë, një fakt interesant është se nga 10 ekipe pjesëmarrëse në elitën e futbollit kosovar, Munishi ka drejtuar shtatë prej tyre.
1. Ismet Munishi – Drita
Munishi më datë 19 tetor të vitit 2016 u emërua trajner i Dritës, duke zënë vendin e boshnjaku Amir Alagiq i cili u shkarkua pas serisë negative të rezultateve në Superligë.
2. Ismet Munishi – Feronikeli
Munishi më datë 26 shkurt të vitit 2018 mori rolin e trajnerit të Feronikelit, duke zënë vendin e Zekiria Ramadanit.
3. Ismet Munishi – Ballkani
Munishi më datë 1 korrik të vitit 2019 u emërua trajner i Ballkanit, pas një aventure me Vëllaznimin e Gjakovës. Aventura e Munishit tek therandasit përfundoi me 23 dhjetor të vitit 2020.
4. Ismet Munishi – Gjilani
Munishi më datë 12 mars të vitit 2021 mori drejtimin e Gjilanit, aty ku qëndroi deri më datë 25 prill të vitit 2022.
5. Ismet Munishi – Prishtina
Munishi më datë 2 qershor të vitit 2022 e konfirmoi kalimin tek ekipi nga kryeqyteti Prishtina.
Aventura e tij tek ‘bardhëekaltrit’ përfundoi më 13 mars të vitit 2023, kur edhe u shkarkua një ditë pasi pësoi humbje ndaj Malishevës (2-1).
6. Ismet Munishi – Ferizaj
Munishi më datë 13 qershor të vitit 2023 u emërua trajner i Ferizajt me të cilët kishte nënshkruar kontratë dy vjeçare.
Aventura e tij tek Ferizaji nuk zgjati shumë, pasi më datë 21 tetor të atij viti, Munishi përmes një statusi në rrjetin social Facebook, kishte njoftuar se ka dhënë dorëheqjen si trajner i ‘Ujqërve’.
7. Ismet Munishi – Dukagjini
Më datë 4 qershor 2024, Munishi edhe zyrtarisht u bë trajner i Dukagjinit dhe mbetet të shihet se çfarë rezultatesh do të arrijë me ekipin e ri në sezonin e ardhshëm të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Llapi, Suhareka dhe Malisheva mbeten tri ekipet e vetme të elitës së futbollit kosovar që Munishi nuk i ka drejtuar asnjëherë gjatë karrierës së tij të pasur si trajner.