Një ngjarje pronësore ndërmjet dy vëllezërve është bërë kontest në Gjykatën e Ferizajit dhe ka dërguar procedurën deri tek kërkesa për largimin e gjyqëtarit nga rasti.
Bashkim Musliu i cili ishte vendosur që një kohë të gjatë në Amerikë siç tregon avokati i tij Faton Hyseni për Telegrami.co, dyshohet se i është shitur prona me nënshkrimin e tij i cili dyshohet se është i falsifikuar.
Parcelat e tani të dëmtuarit Bashkim Musliu rreth 3.5 hektarë, kapin vlerën e mbi dy milionë eurove.
Avokati Hyseni thekson se kontrata është nënshkruar pa qenë Bashkim Musliu në Kosovë dhe se kontrata që posedon Fatosi pretendohet që nuk e ka nënshkruar Bashkimi por është falsifikuar.
“Bashkimi është ftuar në seancë dhe ka ardhur nga Alaska e Amerikës dhe nuk ka qenë në dijeni se për çfarë po bëhet fjalë”, shtoi tutje Hyseni.
Ndërkaq më 14 qershor ishte planifikuar që të mbahej një seancë dhe nuk është mbajtur për shkak se avokati Faton Hyseni kishte bërë kërkesë që të përjashtohej gjyqtari i lëndës me arsyen që në seancën paraprake gjyqtari i është drejtuar Bashkim Musliut duke i thënë se edhe nëse ta kanë falsifikuar nënshkrimin, ti këtë pronë dhuroja babait tënd dhe arrihet marrëveshja.
“Gjyqtari ka bërë shkeljen e parë penale që edhe pse është dëshmuar për falsifikim të nënshkrimit sërish ka thënë që të realizohet një marrëveshje. Më 18 qershor e kam bërë kërkesën për përjashtim të gjyqtarit. Tani ka mbetur në dorë të kryetarit të Gjykatës se a do ta përjashtoj gjyqtarin e lëndës dhe brenda dy jave do të merret ky vendim” shtoi avokati./D.Dërmaku
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.