Financimi i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe (LS), është tema më e shpeshtë që trajtohet nga qytetarët e Kosovës, pse dhe si financohet ajo nga buxheti i shtetit.
Pyetja është edhe më e ndjeshme kur LS, vepron gjithë kohën kundër interesave të shtetit të Republikës së Kosovës.
“LS është parti politike e pakicës serbe në Republikën e Kosovës ,subjekt dominues i serbëve, i formuar më 2014 deri më 2022, kur të gjithë deputetët e kësaj partie, dhanë dorëheqje. Është e lidhur ngusht me Qeverinë e Serbisë që e udhëheq Partia Progresive Serbe e Aleksandar Vuçiqit”, thuhet në kreun e historikut të kësaj partie, e cila pranon publikisht dhe zyrtarisht sponzorin dhe burimin e punës dhe frymëzimit për veprimtari kundër Kosovës.
Lista Serbe, financohet nga Serbia, por ajo njëkohësisht financohet edhe nga buxheti i Kosovës, ligjit për financimin e partive politike.
“Ligji për partitë politike thotë se nëse një subjekt politik hyn në parlament përmes votës, i takon kompensimi financiar , varësisht nga përqindja e fitimit të vendeve në parlament dhe për kokë të votës. Financimi bëhet nga donatorët dhe nga shteti i Kosovës. Nëse një parti shpallet terroriste, apo nxitëse e ekstremizmit mund të ndodh përjashtimi nga gara politike dhe ndalimi i financimi, por edhe bllokimi i financave përkohësisht , apo me vendime tjera”, ka thënë për Telegram News eksperti juridik dhe njohësi i partive politike Blerim Burjani.
Por, si qëndrojnë gjërat me LS si parti politike e cila qëndron në krye të çdo aktiviteti dhe veprimi të serbëve të Kosovës nga themelimi e këndej.
Lista Serbe ka organizuar bllokimin e rrugëve në veri të vendit, ka ndërmarrë veprime të dhunshme në nxjerrjen e popullatës serbe për protesta në veri dhe qëndrim në postblloqet që ishin organizuar në tenda.
Nënkryetari i Listës Serbe Milan Radoiçiq u gjet organizator i sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023 dhe pranoi sulmin dhe organizimin dhe sot i lirë jeton dhe vepron në Serbi.
Milan Radoiçiq është pjesa qendrore e anës financiare të partisë, por në politikë Listën Serbe më shumë e ka udhëhequr Goran Rakiq, ish kryetar i Mitrovicës verire dhe veprimtar i lidhur me bandat dhe grupet e Mbrojtjes Civile Serbe në veri të vendit.
Goran Rakiq dhe veprimtarët e tjerë të Listës Serbe, nuk e kanë ndërmarrë asnjë veprim të rëndësishëm politik, pa shkuar në Beograd te presidenti Aleksandar Viçiq, me të cilin të gjitha evidencat dhe analizat e bëra e lidhin me krimin e organizuar dhe Mafian e serbëve të veriut, së bashku me biznesmenët tjerë Veselinoviçëve.
Është rast shumë i veçantë në jetën politike të një shteti që financon një parti politike, nënkryetari i të cilës organizon sulm terrorist në shtet, madje, besohet 100% se edhe anëtarët tjerë të Listës Serbe kishin njohuri për sulmin terrorist në Banjskë që synonte ndarjen e Kosovës.
Katër muaj pas agresionit serb në Banjskë, Lista Serbe kishte përfituar 360 mijë euro nga buxheti i Republikës së Kosoës. Pyetjes se pse nuk iu ndalua financimi kësaj partie nga shteti i Kosovës, si pagat nga Kuvendi dhe fondi nga KQZ, ministri i brendshëm Xhelal Sveçla iu përgjigj se nuk është e mundur.
Në mbledhjen e 12 janarit 2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte caktuar lartësinë e mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike parlamentare për vitin 2024 ku Lista Serbe figuronte me 360 mijë euro të fituara.
Ministri Sveçla thotë se janë të obliguar të paguajnë çdo parti.
A do të ndryshonte gjendja e financimit të kësaj partie, nëse Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë edhe kundër Listës Serbe?
“Janë disa arsye që duhet të shtjellohen për të ndodhe kjo: Ka nevojë që të bëhet një analizë e thellë, veçmas e sigurise , gjendjes së të drejtave të njeriut, bërjes së aksioneve që përbëjnë vrasje makabre terroriste mbi popullatën e pafajshme civile, tentativa hakmarrëse të vazhdushme, që cenojnë sigurinë dhe jetën njerezore, apo përbën kërcënim për jetën dhe pasurinë njerëzore vendore e ndërkombëtare”, potencon Blerim Burjani, duke numëruar këto akte dhune të një subjekti politik, si të mjaftueshme për ta hequr nga lista e financimit.
Shtohet pyetja: Cilat prej këtyre akteve të dhunës i plotëson Lista Serbe dhe përgjigja është se koka e saj Radoiçiq ka pranuar aktin e sulmit të Banjskës.
Lista Serbe rrallë merr pjesë në punimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe mban peng lëvizjet e serbëve të Kosovës brenda territorit të vendit .
Lista Serbe nuk ka demantuar askënd për akte dhune, pos një ndryshimi në kreun e vet pas Banjskës që ishte kërkesë e Serbisë.
“Për te gjitha partitë edhe “Listën Serbe” ka gjasa t’u ndalet financimi po qe se një parti është përgjegjëse në vazhdimësi për shkaktim të dhunës, apo si prodhues apo gjenerator dhune” ,thotë Burjani.
Eksperti i sigurisë Burim Ramadani, ka qenë i pari që ka kërkuar ndalimin e financimit të Listës Serbe në Kosovë, i cili e shpërfaqte Listën Serbe si organizatore të akteve të dhunës në vend./TelegramNews.
.