Lista Serbe e ka uruar Donald Trumpin për fitoren në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në një postim të tyre thuhet se besojnë që me kthimin e Trump në udhëheqje do të ndalet edhe “persekutimi i serbëve në Kosovë” dhe se do të ketë insistim në formimin e Asociacionit.
“Besojmë dhe presim që pozita dhe problemet e popullit serb në Kosovë të jenë në fokus të plotë, të bindur se administrata e Presidentit Trump nuk do të lejojë vazhdimin e persekutimit sistematik të popullit serb nga vatrat shekullore në Kosova, si dhe se do të insistojnë në respektimin e të drejtave themelore njerëzore dhe politike të popullit serb, por edhe të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, veçanërisht të asaj që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Populli serb ka qenë gjithmonë me Presidentin Trump, prandaj është i inkurajuar sinqerisht nga kjo fitore historike!” është thënë në postimin e tyre.
Donald Trump, ka mbajtur një fjalim para mbështetësve të tij në Florida, ku i ka falënderuar popullin amerikan për mbështetjen dhe besimin që i kanë dhënë të jetë presidenti i 47- të i ShBA-së.