Në gjykimin ndaj të akuzuarve në rastin e njohur si “Subvencionet 1” në seancën e datës 14.06.2024 ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes i akuzuari Luan Statovci. Ai nga Prokuroria Speciale po akuzohet për veprat penale – marrje ryshfeti, dhe – keqpërdorim i detyrës zyrtare.
I akuzuari Luan Statovci në fillim të seancës gjyqësore u përball me pyetjet nga ana e prokurorit special Rafet Halimi.
Kujtojmë se i njëjti kishte filluar marrjen në pyetje nga prokuroria më datë 10.06.2024.
Statovci po akuzohet për marrje ryshfeti në mënyrë të tërthortë, se ka pranuar ryshfet nga Kastriot Berisha, Fuat Morina, Flamur Zeqiri, Florim Nimonaj, Dukagjin Mavraj dhe Daut Kabashi.
I akuzuari Statovci gjatë marrjes në pyetje nga ana e prokurorit special u përball me disa pyetje, një ndër to ishte se: “Sa është vlera e parave që i ke marrë nga Daut Kabashi?”.
“Nuk më kujtohet” – u përgjigj i akuzuari Statovci.
Tutje në këtë seancë i akuzuari Luan Statovci u përball edhe me disa prova nga ana e Prokurorisë. Të akuzuarin Statovci prokurori Rafet Halimi e përballi me një video-incizim në zyrën e tij përmes të cilit shihej se pranonte para më datë 15.02.2021 dhe pastaj i vendoste në xhepin e majtë të tij dhe pak më vonë nga i njëjti xhep të njëjtat para ndahen me të pandehurin Sadat Shkodra në vlerë prej 500 euro.
Përveç kësaj prokuroria e kishte siguruar edhe një provë në bazë të përgjimeve telefonike dhe me datë 15.02.2021 ora 10:16 minuta e kontaktonte E. K. dhe një nga pyetjet të cilat ja kishte bërë ishte “A priton me shiku qaty dy minuta se po më intereson diçka në emër të Valentina Kabashit”.
Pyetja e radhës nga prokurori ndaj të akuzuarit ishte se personi Afrim Abazaj a i kishte sjellur ndonjëherë para në zyrën e tij?
“Më kujtohet një herë” – deklaroi i akuzuari Luan Statovci.
A keni pranuar ndonjëherë para nga Kushtrim Zogaj për rastin e Dukagjinit ishte një pyetje tjetër e cila ju parashtrua të akuzuarit nga ana e prokurorit si dhe a keni pranuar ndonjëherë para nga Sadat Shkodra për rastin e Dukagjin Mavraj.
Jo nuk kam pranuar dhe nuk e njoh personin me emrin Dukagjin Mavraj” – deklaroi i akuzuari Statovci.
“Nuk kam pranuar asnjëherë para për Dukagjin Mavraj” – shtoi tutje i akuzuari Statovci gjatë seancës.
Prokuroria po ashtu e kishte siguruar një provë nga masat e veçanta hetimore. Statovci në zyrën e tij më datë 19.02.2021 shihej duke pranuar para nga Sadat Shkodra në vlerë prej 1700 euro. Në atë videoincizim në momentin që sllëen paratë në vlerë prej 1700 euro, Sadat Shkodra e njofton se këto para janë nga Dukagjini. Por sipas të akuzuarit këto para nuk kanë të bëjnë me Dukagjinin.
Tutje seanca vazhdoi me marrjen në pyetje e të akuzuarit Luan Statovci nga ana e disa avokatëve të të pandehurve ndërsa pas kësaj seanca vazhdoi edhe me disa pyetje nga ana e trupit gjykues.
Në fund i akuzuari deklaroi se nuk ka çfarë të shtoj më tepër dhe se e konsideron veten të pafajshëm.
Rasti po trajtohet në Departamentin Special në përbërje të trupit gjykues me kryetar Kujtim Krasniqi dhe anëtarët Lutfi Shala e Valon Kurtaj.
Shqyrtimi gjyqësor i radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet më datë 19.06.2024./Kallxo.com