Në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës tash e disa muaj disa klinika janë në rinovim. Derisa trajtimi i pacientëve në disa prej këtyre klinikave po bëhet në objekte e hapësira improvizuese. Por ata të cilët po pësojnë nga kjo gjendje janë pacientët, për shkak të listave të gjata të pritjes.
Njëra ndër pacientet e shumta që po presin shërbime nga kjo klinikë, tha për Telegramin se është duke pritur derisa të bëhet renovimi për një operacion, pasi sipas saj, në klinika private i njëjti kryhet me mbi 2 mijë euro.
“Jam duke pritë prej dimrit do me thënë prej para vitit të ri. Nuk po ndihem mirë me shëndet por nuk kam zgjidhje tjetër. Në privat po kushton shumë, kam pytë, dikund 2 mijë euro më kanë thënë e ku me i marr ato… Tash po pres deri sa të bëhet renovimi, e mandej duhet me prit deri sa të më vie rendi, qashtu më kanë thënë ata në spital”, tha qytetarja.
E Telegrami ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë por që në përgjigjen e tyre thuhet se çështja e renovimit të klinikave është përgjegjësi e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitarë të Kosovës.
E në anën tjetër zëdhënësi, i ketij institucioni, Shpend Fazliu i tha Telegramit se “datën e rihapjes e cakton kabineti gjegjësisht Ministria e Shëndetësisë..”
Këta të fundit janë kontaktuar nga redaksia mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme është bërë përurimi i Klinikës së Gjinekologjisë pas rinovimit që u bë për disa muaj. I pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili tha se investimi përfshin koston prej 5.5 milionë eurosh./E.Salihu/Telegrami.co