49 për qind e qytetarëve nuk janë të kënaqur në dialogun me Serbinë, ndërsa mbështetje nuk i dhanë as vazhdimësisë së këtij procesi për pesë vitet e ardhshme. Kështu u tha në prezantimin e rezultateve të sondazhit “Zëri i Popullit rreth ‘Shtegut të Paqes’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë: Shpalosja e Rolit të Grave”, të organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).
Në këtë hulumtim, kanë marrë pjesë 1.108 respodentë, nga të gjitha komunat e Kosovës. Prej tyre, 89 për qind kanë qenë shqiptarë, 9 për qind serb dhe 2 për qind të grupeve tjera etnike. Ndërkaq, 43 për qind e respodentëve kanë qenë burra, ndërsa 57 për qind gra.
E në grupin e dytë të gjetjeve për marrëveshjen e fundit të Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë e lidhur me aneksin e Ohrit, 43 për qind të mostrave u ndanë te pakënaqur për gjendjen dhe rezultatin.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, ka thënë se pjesëmarrja e serbëve në këtë hulumtim nuk është i kënaqshëm.
“Mendoj se ky hulumtim është bazë e mirë e perceptimit te opinionit publik por përfshirja e komunitetit serb në hulumtim është numër i vogël, pa dashur të kontestoj përgjigjet e këtij studimi, opinioni im është se numri serb është shumë i vogël duke marrë parasysh qe si temë ka qenë roli i grave në procesin e dialogut. Ky hulumtim është marrë edhe në aspektin politik, gjinor por edhe në operacionalizimin e aspektit të ndikimit politik tek asociacionin, andaj fokusi nuk ka qenë vetëm tek roli i gruas por në brendi ka edhe pika tjera, si marrëveshja e Ohrit në marsin e vitit 2023”, u shpreh Tishukaj, teksa përmend edhe përfshirjen e presidentes Osmani në Këshill të Sigurisë së OKB.
“Sa i përket të kaluarës, përfaqësuese femër ka qenë Edita Tahiri por edhe tash me ligj e drejta i takon kryeministrit Albin Kurti, por nuk është që ka mbetur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të gjithë e dimë përfaqësimin e saj në Këshillin e Sigurisë në OKB ku ia përplasi të vërteten presidentit serb Vuçiq, por edhe ministren e punëve të jashtme, Donika Gërvalla”, tha tutje ajo.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se me kalimin e viteve ndryshimet politike janë pasqyruar mes këtij raporti.
“Në vitin 2010 dialogu është parë si aspekt i fundit për ndërtimin e rrugës drejt anëtarësimit të BE-së. Dialogun e dimë se në fillim e kanë udhëhequr Edita Tahiri e cila ka pasur respektin e gjithë qeverisë, ajo e barti barrën e takimeve të renda me palën serbe. Kanë kaluar 13 vite, dje kanë ndodhur shumë ndryshime politike dhe ky raport qe po e diskutojmë sot jep drite mbi atë se çka ndodh në Kosovë dhe rreth saj”, u shpreh ajo.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se nuk ka pasur përfaqësim nga gratë në dialog, që nga koha e ish-kryenegociatorës, Edita Tahiri.
“Prej kohës së Edita Tahirit nuk ka pasur gra në përfaqësim. Ka shumë arsye se gratë dinë dhe munden, përfshirja e grave në dialogun Kosovë-Serbi është e nevojshme kur për këto 4 vite të qeverisë nuk kemi pasur progres është edhe arsye mungesa e grave.
Ndërkaq deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka thënë se Kosova ka pranuar dialogun pa pranuar kërkim falje nga Serbia për krimet e luftës. Sipas saj, dialogu me Serbinë është dashur të zhvillohet me parime.
“Gjatë këtij rrugëtimi të dialogut kemi pasur marrëveshje por sa janë zbatuar ato. Disa po disa s’janë zbatuar fare. Më duket se jemi përballur me standarde të dyfishta. Në vitin 2018, Kosova ka marr miratim pozitiv dhe atë drejtë e gëzoi në vitin 2024. Kemi filluar me një dialog teknik i cili kaloi tutje në politik, me drejtim në Bruksel, e stërgjatët dialogu tash e 13 vjet, i cili është rezultati i këtij dialog, është dashur të ketë dialog me parime”, u shpreh ajo.
E zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Mathias Conrad, tha se Kosova mund të mësoj shumë dhe se ky raport paraqet prezantim të mirë.
“Dialogu është e vetmja rrugë, është proces i vështirë dhe as nuk kemi pritur të jetë i lehtë, për faktin se na është dashur shumë kohë për arritjen e marrëveshjeve te vogla. Sa i përket marrëveshjes e Ohrit, më duket interesante se 40 për qind nuk kanë mendim sepse unë mendoj se kjo marrëveshje e ka ndryshuar lojën, duhet implementuar”, u shpreh ai./EO