Inspektorati Policor i Kosovës, ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, pasi të njëjtit dyshohet se e kanë keqtrajtuar një punonjës të sigurimit të EULEX-it, gjatë arrestimit dhe shoqërimit pas një incidenti lidhur me parkimin e një veture private.
Përmes një njoftimi në Facebook, Inspektorati thotë se punonjësi i EULEX-it ishte në detyrë të sigurimit së autoparkingut të veturave.
Tutje, thuhet se IPK-ja për këtë rast janë informuar mëngjesin e së enjtes, përderisa zyrtarët policorë po dyshohen për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
“Bazuar në veprimet hetimore që janë ndërmarrë deri më tani, dyshohet se zyrtarët policorë kanë arrestuar dhe shoqëruar një qytetar (punonjës i sigurimit për Misionin e EULEX-it) pas një incidenti lidhur me parkimin e një veture private (të cilën ishte duke drejtuar një zyrtar policor) para hyrjes së parkingut të Misionit EULEX afër stadiumit të futbollit ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë. Punonjësi vendor i sigurimit të Misionit të EULEX ishte në detyrë të sigurimit të auto-parkingut të veturave të EULEX-it në kohën kur ka ndodhur incidenti”, thuhet në komunikatën e IPK-së
Më tej, në postimin e tyre thuhet se me të pranuar informacionin, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë disa veprime fillestare hetimore në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin kompetent.