Derisa misioni i EULEX-it po publikonte raportim për monitorimin e drejtësisë, jashtë ambienteve ku po mbahej ngjarje disa pjesëtarë të Partisë Demokratike Serbe kanë protestuar.
Stefan Veljkoviq, nënkryetar i Partisë Demokratike Serbe pretendon se Policia e Kosovës po e shkel ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Ne erdhëm këtu për të protestuar për shkak të rolit të pjesshëm të EULEX-it në vlerësimin e rasteve, rasteve të shumta në veri të Kosovës… Dhe mendojmë se Policia e Kosovës vazhdimisht po e shkel ligjin, po shkel ligjin e Kushtetutës së Kosovës, po shkel ligjin dhe policinë. Prandaj erdhëm këtu për të tërhequr vëmendjen e EULEX-it për të gjitha këto raste dhe paaftësinë themelore të gjyqësorit të Kosovës për t’i ndjekur penalisht të gjitha këto raste, ku ne si komunitet serb në Kosovë ndihemi drastikisht të pasigurt kur biem në kontakt me këta individë”, tha ai.
Kësaj proteste i është përgjigjur shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, i cili u shpreh se mandati i tyre nuk është të raportojë rast për rast.
“Mandati ynë nuk parasheh raportime rast për rast, nuk parasheh që të bëjmë raporte publike për secilin rast, mirëpo mandati ynë na obligon që të adresojmë mangësitë dhe problemet të cilat mund t’i shohim dhe që ndërlidhen drejtpërdrejtë me institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë dhe këtë e bëjmë për çdo ditë. E kuptoj dhe mund ta kuptoj frustrimin e OJQ dhe shoqërisë civile të- cilat janë të angazhuara bashkëpunojnë me qytetarët, por mund t’iu siguroj që ne jemi duke adresuar një për një dhe secilën situatë me seriozitetin dhe përkushtimin më të madh me institucionet e duhura. Nuk jemi këtu për të marrë anën e cilës do pale, jemi që të veprojmë në mënyrë neutral dhe të paanshme”, tha ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se po punojnë që qasja e policëve me qenë qasje e një policie që është në shërbim të qytetarëve dhe jo të keqkuptohet në forma të ndryshme.
“Deri tash kemi punësuar rreth 170 vende në Mitrovicën Veriore me policë nga minoritetet rreth 80 nga ta do të jenë serbë, të tjerët janë boshnjak, ashkalinj, turq e të tjerë, në klasën e fundit në Policinë e Kosovës në akademi janë afër 150 të tjerë e që janë minoritarë, shumica do të jenë serbë…Po punojmë shumë që qasja e policëve me qenë qasje e një policie që është në shërbim të qytetarëve e jo të keqkuptohet në forma të ndryshme. Ne kemi sot prezencë minimale të forcave tona speciale… Do të punojmë shumë që atje prezenca policore të jetë e tillë çfare është e dhe struktura demografike etnike në veri të vendit sikurse në çdo pjesë të Kosovës, por ky është si rezultat që nuk është krijuar nga policia e Kosovës por si rezultat që ka ardhur nga ndikimet politike nga jashtë Kosova”, theksoi Hoxha.
Sot misioni i EULEX-it e ka publikuar raportin për monitorimin e drejtësisë, sipas të cilit trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk ka shënuar progres, derisa edhe paraburgimi vazhdon të përdoret në mënyrë të tepërt.