Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka deklaruar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është një obligim për Kosovën që rrjedh nga marrëveshjet e arritura me Serbinë në Bruksel.
Në një intervistë, Rashiq theksoi se fuqia e marrëveshjeve ndërkombëtare ka përparësi mbi ligjet lokale.
“Kjo është një detyrim që kemi marrë para më shumë se dhjetë vjetësh. Edhe pse ka pasur kundërshtime, në politikën ndërkombëtare marrëveshjet duhet të respektohen, pavarësisht ndryshimeve në strukturën qeveritare. Fuqia e marrëveshjeve ndërkombëtare i tejkalon fuqitë e ligjeve lokale, dhe për këtë arsye duhet të zotohemi në zbatimin e tyre,” u shpreh Rashiq në RTV21.
Ai shtoi se, sipas tij, Asociacioni nuk paraqet rrezik për sovranitetin e Kosovës.
“Pavarësisht kritikave, unë mendoj se Asociacioni nuk e cenon sovranitetin e Kosovës. Faktori ndërkombëtar ka ritheksuar se një gjë e tillë nuk do të jetë problematike, dhe marrëveshja e vitit 2015 kërkon që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës,” tha ai.
Rashiq gjithashtu theksoi se Draft-Statuti për Asociacionin do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, duke shtuar se procesi do të intensifikohet pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Deri në fund të vitit të ardhshëm do të ketë punë intensive për dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese,” përfundoi Rashiq.