Zyrtarë të spitaleve në pjesën veriore të Gazës thonë se shumë njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite gjatë natës së mbrëmshme.
Ekipet e shpëtimit në Gaza thonë se operacionet u nisën herët në mëngjes, pasi Izraeli bombardoi të paktën pesë ndërtesa në Beit Lahia dhe në Qytetin Gaza, raporton televizioni BBC.
Mediat e lidhura me Hamasin thonë se dhjetëra njerëz u vranë dhe shumë të tjerë ende ndodhen nën rrënoja – përfshirë gra e fëmijë.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite, por ajo rishtazi i ka shtuar sulmet në pjesën veriore të Gazës, duke thënë se po e parandalon rigrupimin e Hamasit.
Disa pjesë të Gazës veriore janë nën rrethimin e forcave izraelite dhe pothuajse asnjë ndihmë humanitare nuk është shpërndarë në 40 ditët e fundit, paralajmëroi më herët OKB-ja.
Mjekët në Gaza thonë se po kanë vështirësi për t’i trajtuar të lënduarit, ndërsa agjencitë e ndihmave thonë se ato nuk mund të dërgojnë furnizime elementare në atë zonë.
Më herët këtë javë, të paktën 34 njerëz u vranë nga një sulm ajror izraelit ndaj një blloku banesor 5-katësh në Beit Lahia, sipas një agjencie lokale të mbrojtjes civile.