Ramush Haradinaj, lideri i AAK-së, po qëndron aktualisht në Gjermani bashkë me disa deputetë të partisë së tij.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se ka takuar kryesinë e degës së AAK-së në Baden-Wurttemberg dhe kanë biseduar për zhvillimet politike në Kosovë.
Ai gjithashtu njoftoi se AAK po rritet në Gjermani duke zgjeruar praninë e saj në disa nëndegë. Kryetari i degës së AAK-së në Baden-Wurttemberg, Pleurat Berisha, dhe kolegët e tjerë i kanë informuar Haradinajn se dega po zgjerohet me ritme të shpejta në disa nëndegë, duke përfshirë Heilbronn, Ludwigsburg, Pforzheim, Reutlingen, Bietigheim-Bissingen, Boblingen, Felbach dhe Goppingen.
Haradinaj gjatë kësaj vizite ka planifikuar të takojë shumë bashkatdhetarë të cilët kanë arritur sukses në veprimtaritë e tyre të ndryshme.
Në përfundim, ai shkroi se do të prezantojë formimin e nëndegëve të reja dhe do të mirëpresë anëtarë të rinj në rrugëtimin politik të AAK-së në Gjermani, duke e vlerësuar atë si një adresë për bashkatdhetarët që janë të interesuar të bashkohen në vizionin për një Kosovë të zhvilluar dhe të lidhur ngushtë me diasporën.