Përmirësimi i infrastrukturës rrugore ekzistuese si dhe ndërtimi i rrugëve të reja, që lidhin më shpejt qytetet me zonat turistike bregdetare, janë prioritete të punës së qeverisë.
Një ndër to është edhe rruga e re turistike Shëngjin-Velipojë.
Kryeministri Edi Rama ndan këtë të diel foto nga punimet që po kryhen për ndërtimin e kësaj rruge të re turistike, e cila sipas tij i shton Shqipërisë një tjetër aks panoramik mbresëlënës.
“Me rrugën e re turistike Shëngjin-Velipojë, e cila i shton Shqipërisë një tjetër aks panoramik mbresëlënës, duke siguruar një lidhje të re e të shpejtë mes dy plazheve të mëdha të Veriut, ju uroj të diel të bukur”, shkroi Rama.
Strategjia e Turizmit 2030 e qeverisë shqiptare ka ndër të tjera në fokus ndërlidhjen më të shpejtë të qyteteve me zonat turistike nga veri në jug. Ura e re mbi lumin Buna, autostrada Thumanë-Kashar pjesë e Korridorit Blu, Ura e madhe e Kukësit, tuneli i LLogorasë, rruga Elbasan-Qafë Thanë pjesë e Korridorit 8, Rruga e Arbrit, janë disa nga veprat e mëdha infrastrukturore në funksion të zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë së vendit.